Trangulli i Kosovës po fiton tregun evropian
Nga serrat e Rahovecit drejt tavolinave evropiane. Me çmim më të lartë, cilësi më të mirë dhe kërkesë në rritje, trangulli i Kosovës po dëshmon se është një nga kulturat më fitimprurëse për fermerët dhe një produkt që po fiton besimin e tregjeve ndërkombëtare. Çmimi më i lartë krahasuar me vitin e kaluar, rendimenti i…
Lajme
Nga serrat e Rahovecit drejt tavolinave evropiane. Me çmim më të lartë, cilësi më të mirë dhe kërkesë në rritje, trangulli i Kosovës po dëshmon se është një nga kulturat më fitimprurëse për fermerët dhe një produkt që po fiton besimin e tregjeve ndërkombëtare.
Çmimi më i lartë krahasuar me vitin e kaluar, rendimenti i mirë dhe kërkesa gjithnjë në rritje nga tregjet evropiane po i motivojnë fermerët që të zgjerojnë kultivimin e trangullit. Kjo kulturë vazhdon të mbetet ndër perimet më fitimprurëse në vend, ndërsa suksesi i saj lidhet ngushtë me prodhimin cilësor dhe plasmanin e sigurt.
Aziz Krasniqi nga fshati Radostë i komunës së Rahovecit kultivon 8 hektarë tokë me perime dhe kultura kungullore. Nga kjo sipërfaqe, 80 ari janë të mbuluara me serra, ku këtë vit gjysmën e tyre e ka mbjellë me trangull. Ai pret rendiment të lartë dhe prodhim cilësor.
Sa i përket sëmundjeve që prekin këtë kulturë, Krasniqi thotë se këtë vit nuk ka pasur probleme serioze. Madje, duke përdorur fidanë të shartuar, ka arritur të shmangë edhe dëmtuesit që e kishin shqetësuar në vitet e kaluara.
Ai shton se shitja është e garantuar dhe është i kënaqur edhe me çmimin, i cili është më i favorshëm se një vit më parë.
Trangulli renditet ndër tri kulturat perimore më të rëndësishme ekonomike në Kosovë. Këtë e thekson agronomi Besim Sahiti, i cili nënvizon se zgjerimi i sipërfaqeve me perime varet në masë të madhe nga sigurimi i tregut për produktin.
Sipas tij, për të arritur një plasman të qëndrueshëm, fermerët duhet të menaxhojnë në mënyrë profesionale parcelat e tyre, duke filluar nga përzgjedhja e fidanëve, skemat e duhura të plehërimit dhe zbatimi i masave mbrojtëse ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve.
Për shkak të ciklit të shkurtër të kultivimit, trangulli kërkon kujdes të veçantë në ushqimin e bimës dhe mbrojtjen fitosanitare.
Sahiti thotë se sëmundjet që e prekin më së shumti këtë kulturë janë vrugu, hiri i kungulloreve dhe sëmundjet e rrënjës. Ndërsa nga dëmtuesit më problematikë ai veçon tripsin, morrin e gjetheve, merimangën dhe nematodin, një dëmtues që ka filluar të shfaqet vitet e fundit në Kosovë.
Duke marrë parasysh kërkesën në treg, çmimet dhe ciklin e shkurtër të prodhimit, Sahiti vlerëson se kultivimi i trangullit është një veprimtari shumë fitimprurëse.
Emrush Taqi nga fshati Qifllak i komunës së Rahovecit thotë se rendimenti dhe cilësia janë më të mira se vitin e kaluar.
“Jemi të kënaqur me çmimin, pasi këtë vit është më i lartë se vitin e kaluar. Si veprimtari është fitimprurëse, por problem për ne mbetet fuqia punëtore”, thotë Taqi.
Ndërkohë, Feim Rexhepi, drejtues i pikës grumbulluese në Xërxë të Rahovecit, tregon se këtë vit pritet të grumbullohen rreth 1,500 tonë trangull, dyfish më shumë se vitin e kaluar.
Ai shpjegon se bashkëpunimi me fermerët zhvillohet në mënyrë profesionale, ndërsa seleksionimi i produktit realizohet sipas standardeve dhe metodave bashkëkohore ndërkombëtare.
Sipas Rexhepit, edhe çmimi i blerjes është më i lartë krahasuar me vitin e kaluar. Trangulli i prodhuar në Kosovë, i grumbulluar në këtë qendër, eksportohet kryesisht në vendet evropiane.
Ai thekson se blerësit nga Evropa janë gjithnjë e më të kënaqur me cilësinë e produkteve, gjë që po reflektohet me rritjen e vazhdueshme të kërkesës nga viti në vit./RTK