273 të rinj ngjiten në Gjeravicë, aktiviteti i kushtohet ish-krerëve të UÇK-së

Një ngjitje masive në majën e Gjeravicës ka mbledhur 273 të rinj e të reja, duke shënuar një nga pjesëmarrjet më të mëdha në një aktivitet të tillë në këtë zonë. Ngjitja u organizua nga klubi alpin PBA Peak Bound dhe u zhvillua gjatë natës së së dielës, duke krijuar një pamje të rrallë në…

Lajme

21/06/2026 11:03

Një ngjitje masive në majën e Gjeravicës ka mbledhur 273 të rinj e të reja, duke shënuar një nga pjesëmarrjet më të mëdha në një aktivitet të tillë në këtë zonë.

Ngjitja u organizua nga klubi alpin PBA Peak Bound dhe u zhvillua gjatë natës së së dielës, duke krijuar një pamje të rrallë në bjeshkët e Kosovës.

Sipas organizatorëve, aktiviteti përveç karakterit sportiv dhe aventurës, mbarti edhe një mesazh simbolik, pasi iu kushtua ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

Ata theksuan se gjatë gjithë ngjitjes, pjesëmarrësit kanë kujtuar me respekt dhe nderim ata që kanë kontribuar në historinë e vendit.

Për mbarëvajtjen dhe sigurinë e grupit u angazhua një ekip organizatorësh dhe mbështetësish, të cilët u vlerësuan për menaxhimin e aktivitetit në kushte të vështira malore.

Organizatorët e kanë cilësuar ngjarjen si një dëshmi të bashkimit dhe energjisë së të rinjve rreth aktiviteteve sportive dhe natyrore.

“273 pjesëmarrës. Një majë. Një qëllim”, u tha në mesazhin përmbyllës të organizatorëve. /Lajmi.net/