Ambasadori Hargreaves thirrje partive: Të formohen sa më shpejt institucionet funksionale

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u ka bërë thirrje forcave politike në vend që të bashkëpunojnë për funksionalizimin e institucioneve dhe vazhdimin e reformave demokratike. Ai ka theksuar se partitë politike duhet të punojnë së bashku për interesin e vendit, me qëllim krijimin sa më të shpejtë të një parlamenti të…

Lajme

20/06/2026 21:38

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u ka bërë thirrje forcave politike në vend që të bashkëpunojnë për funksionalizimin e institucioneve dhe vazhdimin e reformave demokratike.

Ai ka theksuar se partitë politike duhet të punojnë së bashku për interesin e vendit, me qëllim krijimin sa më të shpejtë të një parlamenti të qëndrueshëm, një qeverie funksionale dhe një presidencë të konsoliduar, transmeton lajmi.net.

Deklaratat Hargreaves i ka bërë gjatë javës në pritjen solemne me rastin e ditëlindjes zyrtare të Mbretit Charles III, ndërsa ato janë shpërndarë sot nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

“Ju e dini se sfidat me të cilat përballet ky vend dhe ky kontinent nuk mund të presin. Pas 18 muajsh pasigurie, besoj se të gjithë këtu pajtohen se partitë politike duhet të punojnë së bashku për të mirën e Kosovës për të krijuar sa më shpejt një parlament të qëndrueshëm, një qeveri funksionale dhe një presidencë”, ka thënë ambasadori britanik.

Ai ka ritheksuar gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën në të ardhmen.

“Kemi qenë me ju që nga fillimi dhe do të mbetemi me ju edhe në të ardhmen. Natyrisht, kjo e ardhme duhet të formësohet si nga mbështetja që merr Kosova, ashtu edhe nga besimi që ajo frymëzon. Besimi se ndajmë të njëjtin vizion për të ardhmen. Besimi se Kosova është një partner tek i cili mund të mbështeten të tjerët. Dhe besimi se Kosova do ta mbajë fjalën e saj dhe premtimin e saj solemn – nëse mund të them kështu, ‘besën’ e saj – për të ruajtur dhe mbrojtur një shtet të pavarur, demokratik dhe multietnik”, u shpreh Hargreaves./lajmi.net/