ShBA mohon pretendimet e Iranit: Nuk po shohim asnjë dëshmi se iranianët po e mbyllin Ngushticën e Hormuzit

Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë pretendimet e Iranit se Ngushtica e Hormuzit është mbyllur, duke insistuar se trafiku detar në një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë vazhdon normalisht. Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi për Fox News se Uashingtoni nuk ka parë asnjë provë që Teherani po bllokon kalimin…

Bota

20/06/2026 17:24

Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë pretendimet e Iranit se Ngushtica e Hormuzit është mbyllur, duke insistuar se trafiku detar në një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë vazhdon normalisht.

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi për Fox News se Uashingtoni nuk ka parë asnjë provë që Teherani po bllokon kalimin në ngushticë, pavarësisht raportimeve të fundit dhe deklaratave të autoriteteve iraniane, transmeton lajmi.net.

“Nuk po shohim asnjë dëshmi se iranianët po e mbyllin ende Ngushticën e Hormuzit”, tha Vance.

Ai theksoi se vetëm gjatë ditës së fundit përmes kësaj rruge detare janë transportuar rreth 16 milionë fuçi naftë, duke argumentuar se qarkullimi i anijeve po zhvillohet pa pengesa.

“Ne nxorëm 16 milionë fuçi naftë nga Ngushtica e Hormuzit dje. Po shihni që anijet po vazhdojnë lëvizjen”, shtoi ai.

Deklaratat e Vance vijnë pak orë pasi mediat shtetërore iraniane raportuan se Teherani kishte vendosur sërish të mbyllte Ngushticën e Hormuzit, duke fajësuar sulmet izraelite dhe atë që e cilësoi si mosrespektim të angazhimeve nga ana e SHBA-së. Autoritetet iraniane paralajmëruan gjithashtu se mund të ndërmarrin masa të tjera nëse tensionet vazhdojnë.

Megjithatë, qëndrimi i Uashingtonit sugjeron se, të paktën deri tani, nuk ka shenja konkrete që trafiku detar në këtë korridor strategjik energjetik të jetë ndërprerë./lajmi.net/