Prokuroria dhe Policia sekuestrojnë rreth 60 kilogramë drogë në Prishtinë dhe Ferizaj, arrestohen katër persona, një shtetas i Kosovës, një i Shqipërisë dhe dy të Serbisë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka realizuar një aksion të gjerë policor në dy lokacione, në Prishtinë dhe në fshatin Babush të Ferizajt, pas hetimeve disa mujore. Si rezultat i operacionit janë sekuestruar rreth 60 kilogramë…

Lajme

18/06/2026 16:47

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka realizuar një aksion të gjerë policor në dy lokacione, në Prishtinë dhe në fshatin Babush të Ferizajt, pas hetimeve disa mujore.

Si rezultat i operacionit janë sekuestruar rreth 60 kilogramë substancë narkotike e dyshuar si marihuanë, transmeton lajmi.net

Në këtë aksion janë arrestuar katër persona të dyshuar: një shtetas i Kosovës, dy shtetas të Serbisë dhe një shtetas i Shqipërisë.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Gjatë operacionit janë sekuestruar gjithashtu dy vetura dhe një kamion, që dyshohet se janë përdorur në aktivitetin kriminal.

Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurve, ndërsa ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Komunikata e plotë:
Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës sekuestrojnë rreth 60 kilogramë substancë narkotike dhe arrestojnë katër persona të dyshuar
Prishtinë, 18 qershor 2026- Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik, se në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, si dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, ka zhvilluar një aksion në dy lokacione në Komunën e Prishtinës dhe në fshatin Babush të Komunës së Ferizajit, ku si rezultat janë sekuestruar rreth 60 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë.
Lidhur me këtë rast janë arrestuar katër (4) persona të dyshuar, prej të cilëve një (1) shtetas i Republikës së Kosovës, dy (2) shtetas të Republikës së Serbisë dhe një (1) shtetas i Republikës së Shqipërisë.
Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për shkak se të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, nga neni 267 par.3 lidhur me nenin 275 par. 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar: Rreth 60 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë, dy (2) vetura, dhe një (1) kamion.
Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, mbeten të përkushtuara në luftimin ndaj kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin./lajmi.net/