FSK-ja viziton komandën mbështetëse të forcave të armatosura të Shqipërisë

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se një delegacion i Gardës Kombëtare dhe Komandës së Logjistikës së FSK-së ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Komandën Mbështetëse dhe strukturat vartëse të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH). Sipas njoftimit të FSK-së, delegacioni është udhëhequr nga zëvendëskomandanti i Komandës së Logjistikës, kolonel Valdet…

Lajme

18/06/2026 13:08

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se një delegacion i Gardës Kombëtare dhe Komandës së Logjistikës së FSK-së ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Komandën Mbështetëse dhe strukturat vartëse të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH).

Sipas njoftimit të FSK-së, delegacioni është udhëhequr nga zëvendëskomandanti i Komandës së Logjistikës, kolonel Valdet Berisha, ndërsa është pritur nga komandanti i Komandës Mbështetëse të FARSH-it, gjeneral brigade Aleksandër Pando dhe stafi i tij.

Gjatë vizitës janë zhvilluar takime profesionale të fokusuara në fushën e logjistikës, trajnimeve dhe emergjencave civile. Delegacioni i FSK-së është njohur nga afër me misionin, strukturën organizative dhe kapacitetet e Komandës Mbështetëse, si dhe ka vizituar kapacitetet logjistike dhe ato të emergjencave civile.

FSK ka bërë të ditur se përfaqësuesit e saj janë informuar në detaje për organizimin, pajisjet dhe procedurat që përdoren në mbështetje të operacioneve ushtarake dhe menaxhimin e situatave emergjente.

Sipas njoftimit, takimet janë karakterizuar nga shkëmbimi i përvojave profesionale dhe diskutimet për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, me theks të veçantë në logjistikë, emergjenca civile, trajnime dhe ngritjen e kapaciteteve operacionale.

FSK theksoi se vizita është zhvilluar në frymën e partneritetit dhe besimit të ndërsjellë, duke kontribuar në rritjen e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. /Lajmi.net/