ZKA gjen parregullsi në Mitrovicën e Veriut: Komuna humbi mbi 25 mijë euro nga tarifat e ndërtimit dhe lejet mjedisore

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar një sërë mangësish në menaxhimin financiar të Komunës së Mitrovicës së Veriut gjatë vitit 2025, duke konstatuar humbje të të hyrave komunale, probleme në menaxhimin e pasurive dhe mungesë të auditimit të brendshëm. Megjithatë, audituesit kanë dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare vjetore, duke vlerësuar se ato…

Lajme

18/06/2026 20:07

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar një sërë mangësish në menaxhimin financiar të Komunës së Mitrovicës së Veriut gjatë vitit 2025, duke konstatuar humbje të të hyrave komunale, probleme në menaxhimin e pasurive dhe mungesë të auditimit të brendshëm.

Megjithatë, audituesit kanë dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare vjetore, duke vlerësuar se ato paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të gjendjes financiare të komunës. Po ashtu, transaksionet financiare janë vlerësuar si në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, shkruan lajmi.net.

Një nga gjetjet kryesore të raportit lidhet me moszbatimin e tarifave të përcaktuara për lejet ndërtimore. Sipas auditimit, për një objekt banimi kolektiv me sipërfaqe prej 12 mijë e 580 metrash katrorë, komuna ka inkasuar vetëm 20 mijë e 883 euro, ndërsa sipas tarifave të miratuara do të duhej të arkëtonte 38 mijë e 621 euro. Si rezultat, është shkaktuar një diferencë financiare prej 17 mijë e 738 eurosh në dëm të të hyrave komunale.

Audituesit kanë evidentuar gjithashtu se komuna nuk ka kërkuar leje mjedisore për të njëjtin projekt ndërtimor, ndonëse investimi arrinte vlerën prej 3 milionë e 774 mijë e 180 euro. Për pasojë, nuk është faturuar dhe inkasuar taksa komunale për lejen mjedisore në vlerë prej 7 mijë e 548 eurosh.

Raporti evidenton edhe probleme në planifikimin e të hyrave nga tatimi në pronë. Komuna nuk kishte planifikuar fare të hyra nga kjo kategori për vitin 2025, megjithëse gjatë vitit ka arritur të inkasojë 8 mijë e 337 euro dhe të identifikojë e regjistrojë 4 mijë e 217 parcela. Audituesit vlerësojnë se mungesa e analizave dhe regjistrimit të plotë të pronave ka ndikuar në planifikimin jo real të të hyrave.

Në fushën e menaxhimit të pasurive, ZKA ka konstatuar se nuk është kryer inventarizimi i plotë dhe vlerësimi i pasurive jo financiare. Po ashtu, pasuri në vlerë prej 68 mijë e 288 eurosh nuk janë regjistruar në sistemin e-pasuria, ndërsa investime shumëvjeçare në vlerë prej 1 milion e 764 mijë e 555 eurosh vazhdojnë të figurojnë si “investime në vijim”, megjithëse disa prej projekteve mund të jenë përfunduar dhe në shfrytëzim.

Një tjetër mangësi e evidentuar nga auditorët është mungesa e Njësisë së Auditimit të Brendshëm. Sipas raportit, komuna nuk ka arritur ta themelojë këtë njësi as gjatë vitit 2025, pavarësisht se ka tentuar të rekrutojë auditor të brendshëm. ZKA vlerëson se mungesa e kësaj njësie ndikon negativisht në forcimin e kontrolleve të brendshme dhe adresimin e dobësive të evidentuara.

Sa i përket zbatimit të rekomandimeve të mëhershme të auditimit, raporti tregon se nga pesë rekomandime të dhëna për vitin 2024, vetëm një është zbatuar plotësisht, dy janë zbatuar pjesërisht, ndërsa dy të tjera nuk kanë filluar ende të zbatohen.

Për vitin 2025, ZKA ka dhënë gjithsej gjashtë rekomandime për komunën, prej të cilave dy janë të reja, dy të përsëritura dhe dy pjesërisht të përsëritura, me qëllim përmirësimin e menaxhimit financiar dhe forcimin e kontrollit të brendshëm. /Lajmi.net/