“Ndërtimi i një Ferrari” – Driton Kuka rrëfen çmimin e suksesit, sakrificat, stresin dhe obsesionin që e bëri Kosovën fuqi olimpike
Në prag të nisjes së ciklit kualifikues për Lojërat Olimpike Los Angeles 2028, trajneri legjendar i xhudos kosovare, Driton Kuka, ka ndarë reflektime të thella mbi çmimin personal të suksesit që e ka ngritur Kosovën në majat e sportit botëror. Njeriu që udhëhoqi vendin drejt pesë medaljeve olimpike në tri edicione të Lojërave, pranon se…
Sport
Në prag të nisjes së ciklit kualifikues për Lojërat Olimpike Los Angeles 2028, trajneri legjendar i xhudos kosovare, Driton Kuka, ka ndarë reflektime të thella mbi çmimin personal të suksesit që e ka ngritur Kosovën në majat e sportit botëror.
Njeriu që udhëhoqi vendin drejt pesë medaljeve olimpike në tri edicione të Lojërave, pranon se lavdia sportive ka ardhur me sakrifica të mëdha familjare, stres të vazhdueshëm dhe dilema të forta emocionale.
Trajneri, Kuka thekson se sakrifica e tij më e madhe ka qenë familja, pasi shpesh ka munguar për shkak të punës, deri në 200 ditë në vit larg shtëpisë, dhe ndjen keqardhje sidomos për vajzën e madhe. Tani ai përpiqet të kalojë më shumë kohë me familjen duke deleguar punën te trajnerët e tij.
Ndërkohë, trajneri tregon se është shumë e vështirë emocionalisht kur kampionët e tij dalin në pension, sepse i ka rritur nga fëmijëria dhe ndjen sikur po humb familjen. Ai përmend me emocione largimin e Majlindës dhe Norës, duke theksuar se kanë kaluar më shumë kohë me të se me familjet e tyre. Megjithatë, ai shprehet krenar dhe i gatshëm t’i mbështesë gjithmonë, edhe pas përfundimit të karrierës së tyre.
“Për mua është shumë e vështirë. Majlinda erdhi kur ishte nëntë vjeç, Nora kur ishte shtatë vjeç, Distria kur ishte gjashtë. Kështu që mendoj se të treja, dhe Akili gjithashtu, kaluan më shumë kohë me mua sesa me familjet e tyre, baballarët dhe nënat e tyre. Pra, sigurisht, është vërtet emocionuese, por jam vërtet i lumtur që mund t’i mbështes të jenë kudo që duan të jenë. Gjithmonë i mbështes. Ata do të kenë mbështetjen time deri në fund të jetës sime sepse e meritojnë. Ata bënë shumë sakrifica për këto rezultate”, tregon Kuka.
Driton Kuka thotë se momenti më i bukur i karrierës së tij janë medaljet olimpike, sidomos e para dhe ato në Tokio, por ai e përshkruan këtë ndjenjë si të papërshkrueshme dhe të “çmendur”. Ai tregon se shpesh as nuk i kujton qartë momentet e fitores për shkak të adrenalinës së madhe, duke u ndjerë sikur po shikon një film. Për të, këto emocione janë edhe më të veçanta sepse kampionët i ka ndërtuar nga fillimi, nga rripi i bardhë deri në majën olimpike.
Kuka bënë të ditur se edhe trajnerët kanë nevojë për mbështetje psikologjike, sepse presioni dhe adrenalina e garave të mëdha janë shumë të vështira për t’u përballuar vetëm, sidomos kur përfaqësohet një komb i tërë.
“Sepse shumë njerëz mendojnë se atletët kanë nevojë për mbështetje mendore dhe ekspertë të shëndetit mendor. Më besoni, edhe për trajnerët është e vështirë. Shumë e vështirë, veçanërisht në rastin tim, ku në çdo Lojë Olimpike i gjithë kombi më shikonte. Është shumë e vështirë të përballesh me këtë”, thotë Kuka.
Më tutje, pranon se para Parisit 2024 ka qenë nën stres të madh dhe Majlinda po përpiqej ta mbronte, dhe se ishte i lumtur që në Paris e kishte Majlindën pranë tij.
Ai thotë se është “i varur” nga adrenalina e suksesit dhe presioni i garave të mëdha, duke e pranuar si pjesë të identitetit të tij si trajner dhe duke mos dashur të largohet nga kjo ndjenjë.
Ndër të tjerash, ai e krahason punën e tij me ndërtimin e një “Ferrari” nga zero, duke formuar kampionë olimpikë me përkushtim maksimal dhe detaje deri në milimetër, me synim të pandryshuar përsosmërinë dhe medaljet olimpike.
Në fund, “Toni” shpreh një anë shumë emocionale të vetes, duke pranuar se shpesh ka dyshime dhe konflikte të brendshme, por që i fsheh pas disiplinës së fortë si trajner. Ai thotë se, pavarësisht stresit dhe sakrificave, momentet kur sportistët e tij fitojnë dhe ngrihet flamuri i Kosovës ia japin kuptimin e gjithë punës dhe vuajtjes.
Në një botë ku qindra trajnerë në mbi 200 vende ndjekin të njëjtën ëndërr olimpike, Kuka vazhdon të mbajë mbi supe shpresat e një kombi të tërë.