Policia arreston tre persona për vjedhje të pyllit në Zubin Potok, sekuestrohen automjete dhe pajisje pune

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “vjedhje e pyllit” në zonën e Zubin Potokut. Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 16 qershor 2026, rreth orës 13:00, pasi njësia policore në Zubin Potok ka pranuar informacion se disa persona dyshoheshin se po kryenin vjedhje të pyllit në pjesën…

Lajme

17/06/2026 15:03

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “vjedhje e pyllit” në zonën e Zubin Potokut.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 16 qershor 2026, rreth orës 13:00, pasi njësia policore në Zubin Potok ka pranuar informacion se disa persona dyshoheshin se po kryenin vjedhje të pyllit në pjesën malore të Moknes, përkatësisht në fshatin Mokra Gora.

Pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë dalë menjëherë në terren, ku në tri lokacione të ndryshme kanë hasur tre persona të dyshuar.

Gjatë aksionit, Policia ka sekuestruar mjetet që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale, përfshirë dy automjete kombi, një traktor me rimorkio dhe gjashtë motorë-sharra.

Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe janë intervistuar nga hetuesit policorë. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, me urdhër të prokurorit të shtetit, ata janë liruar dhe ndaj tyre janë iniciuar tri raste të ndara për veprën penale “vjedhje e pyllit”.

Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin në parandalimin dhe trajtimin e rasteve të tilla, me qëllim të ruajtjes së rendit, sigurisë dhe mbrojtjes së mjedisit.

Njëkohësisht, qytetarët janë inkurajuar që të bashkëpunojnë me Policinë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë përmes numrit 192 ose aplikacionit “Lajmëro Policinë”. /Lajmi.net/