FireDestroyer prezantohet në Kosovë me reagim ndaj zjarrit në 5 sekonda
Në Kosovë është prezantuar brendi FireDestroyer, një teknologji inovative evropiane për mbrojtje aktive nga zjarri, e cila sipas përfaqësuesve të kompanisë mund të reagojë brenda tri deri në pesë sekondave nga shpërthimi i zjarrit, pa pasur nevojë për energji elektrike apo instalime shtesë. Gjatë prezantimit u tha se sistemi synon të minimizojë dëmet materiale dhe…
Lajme
Në Kosovë është prezantuar brendi FireDestroyer, një teknologji inovative evropiane për mbrojtje aktive nga zjarri, e cila sipas përfaqësuesve të kompanisë mund të reagojë brenda tri deri në pesë sekondave nga shpërthimi i zjarrit, pa pasur nevojë për energji elektrike apo instalime shtesë.
Gjatë prezantimit u tha se sistemi synon të minimizojë dëmet materiale dhe rrezikun për jetën e njerëzve, duke ofruar një qasje proaktive dhe automatike ndaj zjarreve, raporton KosovaPress.
Përfaqësuesi i kompanisë nga Sllovenia, Anton Zunic, tha se “Fire Destroyer” është një kompani globale e fokusuar në zhvillimin e produkteve dhe inovacioneve në fushën e sigurisë kundër zjarrit.
“FireDestroyer është një kompani globale e dedikuar zhvillimit të produkteve dhe inovacioneve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri. Zjarri mbetet një nga rreziqet më të rëndësishme operative për njerëzit, pronën dhe vazhdimësinë e bizneseve. Kjo do të thotë se ne duhet të jemi të shpejtë në mbrojtjen nga zjarri. Ne mund të reagojmë shumë shpejt, në rreth 3 deri në 5 sekonda, duke bërë që humbjet dhe dëmet të jenë më të vogla. Dhe pikërisht këtu Fire Destroyer bën diferencën në treg.. Fire Destroyer është një zhvillues dhe prodhues evropian. Ne punojmë tërësisht sipas standardeve të forta evropiane, duke zhvilluar, prodhuar dhe testuar gjithçka nën një çati”, tha Zunic.
Në event mori pjesë edhe ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, i cili vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e reja për partneritete ekonomike.
“Kam një iniciativë të mirë, një mundësi të re për të ndërtuar atë çfarë është bërë gjatë 25 viteve të fundit, Sllovenia dhe Kosova kanë qenë miq madje edhe para pavarësisë së të dy vendeve, nën një ombrellë të vetme, dhe ne jemi bashkë në temat dhe çështjet e politikës, si dhe të ekonomisë. Dhe përsëri, ju falënderoj për të gjithë punën që keni bërë dhe që do ta bëni në ditët, javët dhe muajt që vijnë”, tha Blaj.
Kryetari i Odës Sllovene të Bizneseve në Kosovë, Bajram Fusha tha se prezantimi i këtij produkti përfaqëson një urë bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë përmes inovacionit dhe cilësisë.
“Sot nuk prezantojmë vetëm një produkt të ri, po prezantojmë një ide e vizion që lidhi Kosovën me Slloveninë, përmes inovacionit, cilësisë dhe besimit. Në një kohë kur siguria e njerëzve, mbrojtja e pronës janë më të rëndësishme se kurrë, zgjidhjet e tilla përfaqësojnë një ide të shtuar për bizneset. Për këtë arsyeje Oda Sllovene e Bizneseve në Kosovë do të jetë gjithmonë pranë iniciativave të tilla duke i mbështetur ato”, tha Fusha.
Pronari i kompanisë “Fire Destroyer” në Kosovë, Durim Sheremeti, tha se sistemi i ri dallon nga zgjidhjet tradicionale, pasi aktivizohet automatikisht në kontakt me zjarrin dhe nuk kërkon ndërhyrje njerëzore.
“Sistemin të cilin po e prezantojmë është sistem i ri kundër zjarrit që i kundërshton sistemet tradicionale. Është proaktiv nuk ka nevojë për njerëzit, është gardian i veti. Kemi dy linja të produkteve, njëra me bazë me CO2 e kthyer në gjendje të ngurtë dhe pluhuri. Reagon në tre deri pesë sekondat e parë. Reagon me katër kategori të zjarreve. Sfida reale janë pesë sekondat e parë të zjarreve, neutralizimin e ofron Firedestroyer me produktet e veta… pse duhet ta kemi Firedestroyer? Produktet e ndryshme tradicionale duhet deri në 70 gradë, Firedestroyer brenda pesë sekondave. Nuk ka nevojë për energji elektrike apo ndonjë instalim, aktivizohet momentin që ka kontakt me zjarrin. Mirëmbajtja e produkteve është pothuajse zero”, tha Sheremeti.
FireDestroyer, një sistem i avancuar për zbulimin dhe shuarjen automatike të zjarrit në fazat e tij fillestare, prezanton konceptin e tij unik të mbrojtjes aktive, i cili funksionon pa energji elektrike, pa sensorë dhe pa ndërhyrje njerëzore.