Në Ditën e Çlirimit të Vushtrrisë, Idrizi: Sakrifica e dëshmorëve mbetet themeli i lirisë sonë

Me rastin e 17 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Vushtrrisë, kryetari i komunës, Ferit Idrizi, ka përcjellë urimet e tij për qytetarët, duke nderuar sakrificën e dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit. Përmes një postimi në Facebook, Idrizi bëri të ditur se së bashku me kabinetin qeverisës, gjeneralin Rrahman…

Lajme

17/06/2026 12:27

Me rastin e 17 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Vushtrrisë, kryetari i komunës, Ferit Idrizi, ka përcjellë urimet e tij për qytetarët, duke nderuar sakrificën e dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Idrizi bëri të ditur se së bashku me kabinetin qeverisës, gjeneralin Rrahman Rama, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve, kanë bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Bletaj.

Ai theksoi se kjo ditë shënon një moment të rëndësishëm reflektimi dhe mirënjohjeje për ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

“Në këtë ditë të shënuar për qytetin tonë, me respekt dhe mirënjohje të thellë, përulemi para veprës së atyre që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë që e gëzojmë sot. Dëshmorët e kombit janë themeli i lirisë sonë, ndërsa kujtimi për ta mbetet i përjetshëm”, ka deklaruar Idrizi.

Kreu i Vushtrrisë nënvizoi se 17 Qershori mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë e qytetit, pasi simbolizon fundin e një periudhe të vështirë dhe triumfin e lirisë.

“17 Qershori është një datë që na rikujton sakrificën e bijve dhe bijave më të mira të Vushtrrisë, të cilët me guxim, përkushtim dhe dashuri për atdheun bënë të mundur ardhjen e lirisë. Kjo ditë na obligon të ruajmë kujtimin për ta dhe të punojmë çdo ditë për një të ardhme më të mirë për qytetin dhe vendin tonë”, u shpreh ai.

Në fund të mesazhit të tij, Idrizi uroi të gjithë qytetarët me rastin e kësaj dite të rëndësishme historike, duke theksuar se kujtimi për dëshmorët dhe kontributi i tyre do të mbetet përherë pjesë e identitetit dhe krenarisë së Vushtrrisë. /Lajmi.net/