Rreth 14 mijë vota më pak se në zgjedhjet e kaluara, megjithatë Adriana Matoshi siguron mandatin e saj të katërt si deputete

Aktorja e njohur dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Adriana Matoshi, duket se ka siguruar edhe një mandat tjetër në legjislativ, pas rezultateve të deritanishme të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Matoshi kandidoi në këto zgjedhje me numrin 43 në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, duke shënuar kështu herën e saj të katërt në garën për…

ShowBiz

17/06/2026 12:14

Aktorja e njohur dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Adriana Matoshi, duket se ka siguruar edhe një mandat tjetër në legjislativ, pas rezultateve të deritanishme të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Matoshi kandidoi në këto zgjedhje me numrin 43 në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, duke shënuar kështu herën e saj të katërt në garën për deputete.

Sipas rezultateve aktuale, ku janë numëruar mbi 97 për qind e votave, aktorja gjilanase ka arritur të sigurojë mbi 23 mijë e 300 vota, duke u renditur e 31-ta në listën e kandidatëve më të votuar të partisë së saj.

 Rezultati i Adriana Matoshit me 97% të votave të numëruara (Foto: KQZ)

Ky rezultat pritet t’i sigurojë asaj një tjetër mandat në Kuvendin e Kosovës, duke vazhduar kështu angazhimin e saj politik paralelisht me karrierën artistike.

Megjithatë, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, Matoshi ka shënuar një rënie të dukshme të mbështetjes elektorale. Në zgjedhjet e dhjetorit, ajo kishte arritur të grumbullonte gjithsej 38,348 vota, duke u renditur në vendin e 20-të ndër kandidatët më të votuar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Pavarësisht këtij rezultati më të ulët krahasuar me ciklin e kaluar zgjedhor, Adriana Matoshi mbetet një prej figurave më të njohura publike që ka arritur të ruajë mbështetje të konsiderueshme në skenën politike kosovare.

E njohur fillimisht për sukseset e saj në aktrim, Matoshi prej vitesh është pjesë aktive e jetës politike në vend, duke qenë një nga figurat më të komentuara dhe më të ndjekura në radhët e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.