Parja e SHTETIT- Ministria e Financave angazhon përmes tenderit një eksperte për arkitekturë, 15 mijë e 600 euro për 12 muaj

Punësimi nëpër ministri të ndryshme të Qeverisë në detyrë të Kosovës përmes tenderimit, tashmë është bërë i zakonshëm. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka lidhur një kontratë për angazhimin e një eksperte të arkitekturës përmes procedurës së prokurimit publik, në vlerë prej rreth 15,600 euro dhe me kohëzgjatje prej 12 muajsh. Sipas dokumentit të…

Lajme

17/06/2026 11:28

Punësimi nëpër ministri të ndryshme të Qeverisë në detyrë të Kosovës përmes tenderimit, tashmë është bërë i zakonshëm.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka lidhur një kontratë për angazhimin e një eksperte të arkitekturës përmes procedurës së prokurimit publik, në vlerë prej rreth 15,600 euro dhe me kohëzgjatje prej 12 muajsh.

Sipas dokumentit të tenderit me numër të prokurimit MF 201-26-2449-2-2-1, kontrata është paraparë për “angazhimin e një eksperti për arkitekturë, sipas specifikimeve të Termave të Referencës të vendosura në Dosjen e Tenderit”. Si njësi matëse është përcaktuar muaji, me kohëzgjatje totale prej 12 muajsh.

Fituese e këtij tenderi është Albana Bajrami, që thuhet se ka mbledh 85,6 pikë, ndonëse nuk është specifikuar forma e vlerësimit të dy kandidateve.

Dokumenti nuk jep detaje të hollësishme publike mbi detyrat konkrete të ekspertit, duke iu referuar Termave të Referencës si bazë për përshkrimin e punës.

Për këtë kontratë, nuk është bërë e ditur nëse angazhimi i ekspertit lidhet me një projekt specifik, apo me mbështetje të përgjithshme profesionale brenda ministrisë.

Lajmi.net ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave lidhur me arsyet e angazhimit të ekspertit përmes procedurës së prokurimit publik, si dhe detyrat që ai/ajo do të kryejë gjatë periudhës 12-mujore. Po ashtu, është kërkuar sqarim se pse kjo nevojë është mbuluar përmes tenderimit dhe jo përmes procedurave të rregullta të rekrutimit.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Ministria e Financave nuk ka kthyer përgjigje.

Kontrata e tillë për angazhimin e personave fizikë përmes prokurimit publik është praktikë që përdoret nga institucionet publike në rastet kur kërkohen shërbime të specializuara profesionale, megjithatë rastet e tilla shpesh ngjallin diskutime për natyrën e angazhimit dhe dallimin mes konsulencës dhe punësimit të rregullt. /Lajmi.net/