Oda Amerikane e shqetësuar me injorimin e Kurtit për gazin natyror: Shpërfillja e qëndrimeve të SHBA-ve rrezikon partneritetin me Kosovën
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka shprehur shqetësim serioz lidhur me siç kanë thënë ata mungesën e vazhdueshme të konsideratës nga Qeveria në detyrë e Kosovës për thirrjet e përsëritura të Qeverisë së SHBA-ve, për të mbështetur përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshmë natyror. Përmes një komunikate për…
Lajme
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka shprehur shqetësim serioz lidhur me siç kanë thënë ata mungesën e vazhdueshme të konsideratës nga Qeveria në detyrë e Kosovës për thirrjet e përsëritura të Qeverisë së SHBA-ve, për të mbështetur përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshmë natyror.
Përmes një komunikate për media, OEAK ka thënë se Kosova po vazhdon të mbetet tejmase e varur nga kapacitetet e vjetruara gjeneruese, importet e mëdha të energjisë elektrike dhe në një treg rajonal energjetik gjithnjë e më të paqëndrueshëm, prandaj sipas tyre qasja në gazin e lëngshëm përveç që përfaqëson një mundësi energjetike është edhe një zgjedhje strategjike.
Ata kanë thënë se diversifikimi i burimeve të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike duhet të mbeten ndër prioritetet kombëtare të Kosovës.
“Veçanërisht shqetësues është fakti se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur zotimin e tyre për t’u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore”, thuhet në komunikatë.
Oda Amerikane ka vlerësuar se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit.
“Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës. Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë me kujdes implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të qëndrimit jashtë nismave rajonale për LNG-në dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë çështje me rëndësi të veçantë”, thuhet në komunikatën lëshuar për media nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Thirrje të vazhdueshme drejt Qeverisë në detyrë të Kosovës kanë ardhur edhe nga ambasada e SHBA-ve në Kosovë. /Lajmi.net/