“53, 22, 18, 7” – Cakolli thotë se ndarja e mandateve në Kuvend, pothuajse çështje e kryer
Procesi i numërimit të votave me postë po shkon drejt fundit, derisa kanë mbetur edhe dy kategori tjera të votuesve për t’u numëruar. Votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta do ta përmbyllin procesin e numërimit të votave për zgjedhjet e 7 qershorit, nga ku përfundimisht do të dihen edhe numri…
Lajme
Procesi i numërimit të votave me postë po shkon drejt fundit, derisa kanë mbetur edhe dy kategori tjera të votuesve për t’u numëruar.
Votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta do ta përmbyllin procesin e numërimit të votave për zgjedhjet e 7 qershorit, nga ku përfundimisht do të dihen edhe numri i ulëseve që kanë siguruar partitë politike në Kuvendin e Kosovës.
Deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe Aleanca 7.
Sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, kjo edhe pritet të jetë shpërndarja përfundimtare e mandateve për legjislativin e ri të vendit.
Ai ka thënë se as kutitë e mbetura të votave me postë, e as 11,895 votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta që do të numërohen nesër, nuk pritet ta ndryshojnë ndarjen e mandateve, përveç nëse sipas tij, prodhojnë ndonjë devijim krejt të pazakontë nga trendet e deritanishme.
“Historikisht, votat me kusht kanë ndjekur më shumë trendin e vendvotimeve të rregullta, me dallime relativisht të vogla. Prandaj, përveç nëse rezultati i këtyre votave i afrohet dukshëm trendit të votave me postë, LVV nuk pritet të arrijë në 54 mandate.”, deklaroi ai.
Ai ka folur edhe për mundësinë e rikthimit të mandateve të partive.
“Në anën tjetër, pas performancës dukshëm më të dobët në kutitë e fundit të votave me postë, LDK-ja e ka tejet të vështirë të rikthehet në 19 mandate, duke ia marrë një mandat PDK-së (mundësia e vetme). Për këtë, LDK-ja jo vetëm që do të duhej ta kalonte PDK-në në renditjen sipas votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, por do të duhej ta bënte këtë me një dallim prej disa qindra votash.”, shtoi Cakolli.