“Shpërtheu granatë dore, u dogj një veturë dhe u dëmtua fasada e një shtëpie” – Policia jep detaje të reja nga rasti në Prizren

Një shpërthim ka ndodhur dje rreth orës 03:30 në rrugën “Brigada 128” në Prizren, që ka shkaktuar zhurmë të madhe. Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi ka thënë se Policia ka dal menjëherë në vendngjarje dhe kanë kontaktuar me ankuesit dhe dëshmitarët, që kanë thënë se derisa po flinin janë zgjuar nga zhurma e…

Lajme

16/06/2026 20:26

Një shpërthim ka ndodhur dje rreth orës 03:30 në rrugën “Brigada 128” në Prizren, që ka shkaktuar zhurmë të madhe.

Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi ka thënë se Policia ka dal menjëherë në vendngjarje dhe kanë kontaktuar me ankuesit dhe dëshmitarët, që kanë thënë se derisa po flinin janë zgjuar nga zhurma e dy shpërthimeve.

“Si pasojë e shpërthimit, është përfshirë nga zjarri një veturë në pronësi të njërës viktimë, ndërsa është dëmtuar edhe fasada e shtëpisë së një viktime tjetër. Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar. Nga ekzaminimi fillestar i vendit të ngjarjes dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore. Sipas ankuesve, vlera e përgjithshme e dëmit material është e konsiderushme. Motivet e rastit ende nuk dihen”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka njoftuar se në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, hetuesit kujdestarë, Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive e Policisë, si dhe mbikëqyrës e eprorë policorë.

“Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Rasti është duke u hetuar”, ka thënë Bytyqi. /Lajmi.net/