Gjykata në Ferizaj shpall fajtor të pandehurin për kanosje me sopatë dhe e dënon me një vit burg efektiv
Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.A., për veprën penale “kanosja”, duke e dënuar me një vit burgim efektiv. Sipas njoftimit të gjykatës, vendimi është marrë nga gjyqtarja e vetme gjykuese Mimoza Maloku Shabani, pas administrimit të provave dhe mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, ku…
Lajme
Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.A., për veprën penale “kanosja”, duke e dënuar me një vit burgim efektiv.
Sipas njoftimit të gjykatës, vendimi është marrë nga gjyqtarja e vetme gjykuese Mimoza Maloku Shabani, pas administrimit të provave dhe mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, ku i pandehuri është shpallur fajtor për veprën penale të kanosjes.
Gjykata ka konstatuar se më 8 mars 2026, në një fshat të Komunës së Ferizajt, i pandehuri, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me pronën, ka kanosur të dëmtuarin V.M., duke mbajtur një mjet të mprehtë (sopatë) dhe duke shqiptuar fjalë kërcënuese, me ç’rast tek viktima është shkaktuar ndjenjë frike dhe pasigurie për jetën.
Po ashtu, gjykata ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit deri në formësimin e prerë të aktgjykimit, por jo më gjatë se kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar, duke marrë parasysh se ai, edhe pas pranimit të fajësisë në seancën fillestare, dyshohet se ka vazhduar me kanosje ndaj të dëmtuarit.
Sipas vendimit, ankesa ndaj aktgjykimit mund të parashtrohet në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj. /Lajmi.net/