ZKA nis auditimin e sistemit “Barnatari” për menaxhimin e barnave dhe pajisjeve medicinale
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur auditimin e sistemit informativ “Barnatari”, platformë e Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), përmes së cilës menaxhohen proceset e regjistrimit, licencimit dhe qarkullimit të barnave dhe pajisjeve medicinale në Kosovë. Sipas ZKA-së, auditimi po realizohet në kuadër të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026 dhe synon…
Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur auditimin e sistemit informativ “Barnatari”, platformë e Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), përmes së cilës menaxhohen proceset e regjistrimit, licencimit dhe qarkullimit të barnave dhe pajisjeve medicinale në Kosovë.
Sipas ZKA-së, auditimi po realizohet në kuadër të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026 dhe synon të vlerësojë nivelin e sigurisë, besueshmërisë dhe funksionalitetit të sistemit, si dhe efektivitetin e kontrolleve që garantojnë mbrojtjen e të dhënave dhe vazhdimësinë e operimit të tij.
Në fokus të auditimit do të jetë vlerësimi nëse sistemi “Barnatari” ofron kontrolle adekuate të të dhënave, disponueshmëri të qëndrueshme dhe mbështetje efektive për aktivitetet operacionale të institucionit.
Platforma digjitale “Barnatari” është në përdorim që nga viti 2015 dhe shfrytëzohet nga barnatoret, depot farmaceutike dhe subjektet e tjera të sektorit farmaceutik në vend. Aktualisht, në sistem janë të regjistruara mbi 1.700 barnatore.
Sipas ZKA-së, sistemi luan një rol të rëndësishëm në garantimin e cilësisë, sigurisë dhe gjurmueshmërisë së barnave dhe pajisjeve medicinale që qarkullojnë në tregun e Kosovës. /Lajmi.net/