13 vite sekret: Çfarë zbulon kontrata e privatizimit të KEDS-it
Privatizimi i Rrjetit të Shpërndarjes në vitin 2013 nga politikanët vendor ishte prezantuar si investim që do të sillte kapitalin privat në sektorin e energjisë. Parashiheshin mbi 300 milionë euro investime nga konsorciumi Çalik-Limak, më vonë KEDS, për modernizimin e rrjetit elektrik të Kosovës. Mirëpo kontrata e privatizimit, që u mbajt sekret për shumë vite,…
Lajme
Privatizimi i Rrjetit të Shpërndarjes në vitin 2013 nga politikanët vendor ishte prezantuar si investim që do të sillte kapitalin privat në sektorin e energjisë. Parashiheshin mbi 300 milionë euro investime nga konsorciumi Çalik-Limak, më vonë KEDS, për modernizimin e rrjetit elektrik të Kosovës.
Mirëpo kontrata e privatizimit, që u mbajt sekret për shumë vite, tregon një anë krejt tjetër të medaljes.
Buletini Ekonomik ka sjell për herë të parë në publik këtë kontratë përmes së cilës u privatizua KEDS-i, dhe që është mbajtur larg syrit të qytetarëve për 13 vite.
Sipas kësaj kontrate, marrëveshja KEK-KESCO nuk ka një afat përfundimi. Kontrata nuk e përcakton se kur përfundon qasja e privilegjuar e KESCO-së në energjinë e KEK-ut.
Pikë tjetër në kontratë, është edhe që KEDS do të duhet të investoj 300 milionë euro në rrjetin energjetik në vend, por në këtë kontratë specifikohet se ky investim bëhet vetëm nëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë, lejon që kosto të përfshihet në tarifat e energjisë.
Pra investimin 300 milionësh që do të duhet ta bëj KEDS, do ta pagujnë qytetarët përmes faturave.
Sipas kontratës së privatizimit të KEDS-it, shteti i Kosovës bëhet garantues që kompania private të mbrohet nga humbjet gjithnjë.
“Për shembull, kur KEK-u nuk prodhon mjaftueshëm rrymë për KESCO-n, kontrata parasheh edhe subvencionimin e importit nga Qeveria e Kosovës”, ka cituar Buletini Ekonomik, kontratën e bërë në vitin 2013.
Në këtë kontratë, problematike gjithashtu është pika që lidhet me prokurorimin.
Sipas nenit 4.9 të Marrëveshjes së Zbatimit, KEDS-i mund të blej mallra dhe shërbime në “kushte komerciale”.
Kjo i ka krijuar hapësirë kompanisë të blejë mallra dhe shërbime si çështje private, pa procedura të hapura publike si tenderë, shpallje publike dhe konkurencë të plotë sipas Ligjit të Prokurimit Publik të Kosovës.
Për vite me radhë KEDS është kritikuar për procedurat e prokurimit që ndjek. Në vitin 2019 kishte marrë edhe vërejtje nga ZRRE se nuk është duke i respektuar rregullat e prokurimit publik të Kosovës.
Por nuk ishte përmendur asnjëherë se këtë ia mundëson kontrata e privatizimit.
Nëse prokurimi nuk është transparent dhe konkurrues, qytetarët mund të paguajnë përmes tarifave kosto që nuk kanë kaluar përmes procedurave që garantojnë çmimin më të favorshëm.
Që nga privatizimi në vitin 2013, ZRRE nuk ka audituar asnjëherë investimet kapitale të KEDS-it, duke ngarkuar në tarifa shpenzime të paaudituara.