Arrestohen dy vëllezër të dyshuar për vrasjen me thikë të kushëririt të tyre, njëri prej tyre i mitur
Një rast tragjik ka ndodhur sot në fshatin Kobaj të Prizrenit, ku një person ka mbetur i vrarë pas therjes me thikë. Në lidhje me këtë rast, janë arrestuar dy persona të dyshuar, kushërir të viktimës dhe vëllezër mes vete, shkruan lajmi.net. Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin…
Lajme
Një rast tragjik ka ndodhur sot në fshatin Kobaj të Prizrenit, ku një person ka mbetur i vrarë pas therjes me thikë.
Në lidhje me këtë rast, janë arrestuar dy persona të dyshuar, kushërir të viktimës dhe vëllezër mes vete, shkruan lajmi.net.
Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Lidhur me rastin ka folur sot edhe kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, i cili ka konfirmuar se një person ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra, ndërsa një tjetër po trajtohet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Ajo që mund të konfirmoj në këtë fazë është se një person ka humbur jetën, ndërsa një person tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në spital. Bazuar në dyshimet fillestare, viktima dyshohet se ka pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai bëri të ditur se hetuesit policorë, ekspertët e forenzikës, prokurori i shtetit dhe ekipet e tjera relevante ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore.
“Hetuesit policorë, ekspertët e forenzikës, prokurori i shtetit dhe ekipet e tjera relevante ndodhen në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Duke qenë se rasti ndodhet në fazën fillestare të hetimeve, në këtë moment nuk mund të japim informacione të tjera lidhur me rrethanat e ngjarjes”, ka shtuar ai.
Sipas informacioneve të deritanishme, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes dy familjeve që janë kushërinj mes vete, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të rastit. /Lajmi.net/