Kosova në fokus të debatit në Zvicër, deputeti Imark përballet me kritika për qëndrimet e tij
Christian Imark nga partia e djathtë SVP ka lënë të nënkuptohet se ka marrë materiale nga ambasadori serb në Zvicër lidhur me “situatën e serbëve në Kosovë”. Imark është i njohur për gjuhën e pafrenueshme – partinë socialdemokrate të Zvicrës e ka quajtur „kancer“. Këtë javë parlamenti i Zvicrës vendosi të vazhdojë misionin e trupave…
Lajme
Christian Imark nga partia e djathtë SVP ka lënë të nënkuptohet se ka marrë materiale nga ambasadori serb në Zvicër lidhur me “situatën e serbëve në Kosovë”. Imark është i njohur për gjuhën e pafrenueshme – partinë socialdemokrate të Zvicrës e ka quajtur „kancer“.
Këtë javë parlamenti i Zvicrës vendosi të vazhdojë misionin e trupave ushtarake në Kosovë, të cilat janë të angazhuara në kuadër të KFOR-it. Mandati i trupave zvicerane është zgjatur deri në vitin 2029. Ndërsa NATO po mendon të reduktojë disa trupa në Kosovë, Zvicra si vend neutral po përpiqet të mbushë hapësirën e zbrazët edhe si kontribut ndaj NATO-s. Zvicra nuk është anëtare e NATO-s, por kufizohet me shtete anëtare dhe përfiton shumë në aspektin e sigurisë. Politikanë të moderuar të Zvicrës e dinë këtë fakt dhe janë të gatshëm ta përkrahin NATO-n në misione paqeruajtëse si ai në Kosovë.
Por ka një parti në Zvicër e cila me ngulm kërkon tërheqjen e ushtarëve nga Kosova: ajo është Partia Popullore e Zvicrës, shkurt SVP, e cila është partia më e madhe në këtë vend. Ndër më të zëshmit me këtë kërkesë është Christian Imark, i cili vjen nga kantoni i Solothurnit në Zvicrën qendrore.
Gjatë seancës parlamentare ku u diskutua mbi vazhdimin e mandatit të trupave zvicerane në Kosovë, Imark mori fjalën dhe pretendoi se pakica serbe në veri të Kosovës po përballet me shkelje të të drejtave të njeriut. Ai pyeti ministrin e Mbrojtjes, Martin Pfister, nëse qeveria e kishte pranuar listën e këtyre shkeljeve dhe çfarë po bënte Zvicra kundër kësaj situate. Lista për të cilën fliste Imark ishte një dosje propagandistike që ambasadori i Serbisë në Bern ua kishte dhënë deputetëve të SVP-së para seancës. Imark ishte i pranishëm edhe në një takim me politikanen e serbëve të veriut, Jovana Radosavleviq, e cila në zgjedhjet e fundit në Kosovë ishte kandidate e Listës Serbe. Radosavleviq me vite të tëra ka drejtuar organizatën joqeveritare New Social Initiative (NSI), ka marrë pjesë në konferenca në Prishtinë me OJQ të tjera dhe është përkrahur edhe financiarisht nga disa ambasada në Prishtinë. Në prezantimin e saj në Bern ajo, në mënyrë paushalle, u ankua për shkeljen e të drejtave të njeriut të serbëve nga qeveria e Kosovës.
Imark është deputet në parlamentin e Zvicrës që nga viti 2015. Ai është sipërmarrës. Partia e tij, SVP, prej dekadash zhvillon një fushatë të egër kundër shqiptarëve në Zvicër. Disa krerë të kësaj partie janë dënuar nga drejtësia zvicerane për racizëm ndaj shqiptarëve. Politikanë të kësaj partie dhe revista „Weltwoche“, e afërt me SVP-në, vazhdimisht atakojnë komunitetin shqiptar.
Siç shkroi së fundi gazeta „Neue Zürcher Zeitung“ (NZZ), grupi parlamentar i SVP-së ishte furnizuar me materiale nga ambasadori serb. Ivan Trifunoviq më parë ka qenë biznesmen dhe lobist i regjimit të Aleksandar Vuçiqit në SHBA.
Christian Imark, me një rast, e kishte kërcënuar një ministre se, nëse nuk do të hiqte disa masa, „njerëzit do të dalin në rrugë dhe do të kërkojnë shumë më tepër sesa thjesht dorëheqjen tuaj!“ Pas kritikave, ai tha se ishte keqkuptuar. Për kulturën politike të Zvicrës, gjuha e Imarkut është e pazakonshme. Javën që shkoi ai tha se „Partia Socialdemokrate nuk është parti, por një kancer socialist“. Imark e ka fshirë këtë postim, por gjasat që ai dhe partia e tij të ndryshojnë janë të vogla. Suksesi i tyre bazohet edhe në fushata permanente kundër të huajve, kundër BE-së, kundër azilkërkuesve. Andaj SVP nuk ngurron t’i quajë kundërshtarët politikë „morra“. Partia Socialdemokrate është partia më e angazhuar kundër racizmit në Zvicër dhe kundër gjuhës diskriminuese ndaj shqiptarëve. Po ashtu kjo parti është përkrahëse e vendosur e pavarësisë së Kosovës. Ish-ministrja Micheline Calmy-Rey, e cila në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka marrë pjesë në një meshë të komunitetit katolik shqiptar në Zvicër, vjen nga radhët e Partisë Socialdemokrate.
Në një koment mbi postimin e deputetit Imark, gazeta NZZ shkroi se kjo sjellje lë shije të hidhur dhe se me këtë gjuhë humbet jo vetëm mirësjellja në jetën publike. „Brutalizimi i gjuhës sjell gjithmonë me vete edhe një brutalizim të sjelljes dhe marrëdhënieve ndërpersonale. Këtë e dinte edhe Niccolò Machiavelli. Në librin e tij ‘Discorsi sopra la prima deca di Tito Livio’, ai mbajti qëndrim kundër ofendimeve. Çdo fyerje ushqen urrejtjen e kundërshtarit, shkruante ai, dhe e nxit atë që edhe më shumë të thurë plane për rrënimin e ofenduesit. Rënia e një shteti shpesh nuk fillon me një grusht shteti, por në momentin kur një fjalë e hedhur, si për shembull zuzar, bëhet diçka normale në politikë“.