Vazhdojnë në QNR vlerësimet e votave me postë, mbi 72 mijë pako të aprovuara deri tani
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës. Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në fund të ditës së shtunë, më 13 qershor 2026, janë vlerësuar gjithsej…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës.
Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në fund të ditës së shtunë, më 13 qershor 2026, janë vlerësuar gjithsej 75,590 pako. Prej tyre, 72,746 janë aprovuar, ndërsa 2,844 janë refuzuar, shkruan lajmi.net.
Arsyeja kryesore e refuzimit mbetet mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokumenti me të dhëna unike që u dërgohet votuesve të regjistruar nga KQZ. Për këtë arsye janë refuzuar 2,571 pako.
Ndër arsyet e tjera të refuzimit përfshihen rastet kur në një pako janë gjetur më shumë se një fletëvotim ose më shumë se një person (177 raste), kur votuesi ka dërguar pakon nga shtet tjetër nga ai ku është regjistruar (21 raste), kur në pako ka pasur vetëm dëftesën pa fletëvotim (27 raste), si dhe raste të tjera më të pakta, përfshirë mungesë të pullës apo vulës postare dhe një rast me fletëvotim të shtypur.
Po ashtu, KQZ ka evidentuar edhe 42 zarfe të dërguara gabimisht.
Procesi i vlerësimit të votave me postë nga diaspora po vazhdon në QNR, ndërsa pritet përditësimi i radhës nga KQZ në ditët në vijim. /Lajmi.net/