Haradinaj kritikon ashpër Kurtin: Vendimet e tij po i hapin rrugë Serbisë në tregun e Kosovës
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar për politika që, sipas tij, kanë ndikuar në favor të interesave të Serbisë. Haradinaj rikujtoi vendimin e Qeverisë së Kosovës të 21 nëntorit 2018 për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, ndërsa tha se heqja e…
Lajme
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar për politika që, sipas tij, kanë ndikuar në favor të interesave të Serbisë.
Haradinaj rikujtoi vendimin e Qeverisë së Kosovës të 21 nëntorit 2018 për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, ndërsa tha se heqja e saj më 1 prill 2020, gjatë qeverisë Kurti, ka mundësuar rikthimin e produkteve serbe në tregun e Kosovës.
Në fushën e energjisë, ai përmendi projektin me kompaninë “ContourGlobal”, të nënshkruar më 20 dhjetor 2017, të cilin e cilësoi si hap drejt pavarësisë energjetike, duke thënë se anulimi i tij më vonë ka rritur varësinë e Kosovës nga importi i energjisë elektrike.
Haradinaj gjithashtu përmendi edhe refuzimin e projektit amerikan të gazit gjatë viteve 2021–2022, duke thënë se Kosova ka humbur një mundësi strategjike për diversifikim energjetik.
Duke komentuar zhvillimet aktuale, ai ngriti pyetje mbi drejtimin e politikave ekonomike dhe energjetike të vendit.
“Tash, kur është riaktualizuar çështja e gazit, njerëzit e tij po përgatiten për protesta kundër gazit amerikan. Kush është ky njeri? A është me të vërtetë kundër gazit apo kundër Amerikës? Tregun e mallrave ia dha Serbisë, ndërsa tregun energjetik po ia garanton. Çka don ky njeri nga Kosova?”, ka deklaruar Haradinaj. /Lajmi.net/