Numërohen mbi 23% e votave të diasporës, VV-ja në krye
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i numërimit të votave të ardhura përmes postës, ndërsa rezultatet e deritanishme tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbajë epërsinë. Sipas të dhënave të publikuara deri më tani, janë numëruar 36 vendvotime nga gjithsej 57, që përbëjnë rreth 63 për qind të procesit të votave…
Lajme
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i numërimit të votave të ardhura përmes postës, ndërsa rezultatet e deritanishme tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbajë epërsinë.
Sipas të dhënave të publikuara deri më tani, janë numëruar 36 vendvotime nga gjithsej 57, që përbëjnë rreth 63 për qind të procesit të votave me postë.
Nga votat e numëruara deri në këtë fazë, LVV ka siguruar 9,119 vota, duke u renditur bindshëm e para.
Pas saj vjen Lidhja Demokratike e Kosovës me 2,210 vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 876 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 579 vota.
Bazuar në rezultatet e përmbledhura preliminare, LVV aktualisht ka 51 mandate në Kuvendin e Kosovës. PDK renditet e dyta me 23 ulëse, LDK e treta me 19 mandate, ndërsa AAK ka shtatë deputetë.
Ndërkohë, pa u numëruar kanë mbetur ende votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, proces i cili ende nuk ka nisur.
Procesi i numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike tashmë është përmbyllur, sikurse edhe procesi në Qendrat Komunale të Numërimit, ndërsa vëmendja mbetet te votat me postë dhe ato që kanë mbetur për t’u procesuar në ditët në vijim. /Lajmi.net/

