Hasani për gazin amerikan: Vendi nuk duhet të izolohet nga zhvillimet strategjike të SHBA-së

Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, ka shprehur shqetësimin për qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj projekteve energjetike me mbështetje amerikane, duke paralajmëruar se vendi nuk duhet të izolohet nga zhvillimet strategjike që lidhen me politikën energjetike të Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, Hasani tha…

Lajme

13/06/2026 15:31

Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, ka shprehur shqetësimin për qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj projekteve energjetike me mbështetje amerikane, duke paralajmëruar se vendi nuk duhet të izolohet nga zhvillimet strategjike që lidhen me politikën energjetike të Shteteve të Bashkuara në Ballkan.

Në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, Hasani tha se çështja e gazit amerikan nuk duhet parë vetëm nga prizmi ekonomik, por si pjesë e një strategjie më të gjerë gjeopolitike.

Sipas Hasanit, politika energjetike nuk mund të jetë çështje e interesave partiake, por duhet të trajtohet si një interes kombëtar dhe shtetëror. Ai tha se vendimet për furnizimin me gaz dhe projektet energjetike lidhen drejtpërdrejt me pozicionimin gjeopolitik të Kosovës në rajon.

“Çështja e gazit amerikan është çështje e politikës globale amerikane, është segment për Ballkanin. Kosova nuk guxon të mbetet jashtë. Dhe unë mendoj që edhe partitë opozitare duhet të jenë pak më dinamike, më të vëmendshme, më të ndërgjegjshme për këtë, sepse pushteti shihet qartë që ka pasur e ka rezerva ndaj secilës politikë të jashtme amerikane. Jo vetëm tash, por edhe në administratën e zotit Biden ka pasur mospajtime që e ofrojnë Kosovën, gati-gati, tek vendet që kanë politika aktive antiamerikane. Kjo është, si të thuash, gati ka ndezur drita e kuqe. Mund të ndodhë që edhe hiqet maska shumë shpejt. Dhe kjo është gabim. Pse? Sepse kjo është një çështje e orientimit gjeopolitik të Kosovës, që s’mund të jetë prerogativë e asnjë partie. Në qoftë se thua ti, unë do ta marr gazin prej Vlorës, pastaj shtrohet çështja: po ti pse me marrë? Se kjo është gjeopolitikë. E po merre atëherë prej Maqedonisë këtu në truall, më afër është”, tha ai.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ditë më parë ka thënë se në mandatin e ri qeverisës do të planifikohet gazifikimi i qymyrit për prodhimin e energjisë, si pjesë e zhvillimit të teknologjive moderne energjetike dhe rritjes së sigurisë energjetike të Kosovës.

Mirëpo, këtë ide e kritikon Hasani, duke ngritur pikëpyetje për ndikimin e saj mjedisor dhe ekonomik.

Ai argumentoi se është e paqartë se si një projekt i tillë mund të justifikohet me argumente mjedisore, ndërkohë që më herët janë kundërshtuar projekte të tjera energjetike për shkak të ndikimit në ambient.

Hasani paralajmëroi se mospërfshirja në gazin amerikan dhe zvarritja e projekteve për rritjen e pavarësisë energjetike mund ta detyrojë Kosovën të vazhdojë të importojë energji elektrike me kosto të larta për vite me radhë.

Ai foli edhe për problemin e vjedhjes së energjisë elektrike, duke theksuar se ndjekja penale e rasteve të tilla është e vështirë për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe shtrirjes së provave në vende të ndryshme të rajonit.

“Po insistojnë në gazifikimin e qymyrit. E dyta, në qoftë se ti ke refuzuar përpara një projekt amerikan për shkak të konsideratave ambientaliste, atëherë gazifikimi, cila është arsyeja? Shpjegoma tash ti mua si qytetar pse duhet me qenë ky gazifikim, që është shumë i dëmshëm në aspektin e ambientit, shumë më i dëmshëm sesa ai që ka qenë projekti ContourGlobal… Në qoftë se kjo është kështu dhe kjo pjesë e pavarësisë energjetike është kështu, atëherë pse dëshiron me çu këtë në afat 10-15 vjet? A e dini çka do të thotë që 10 vjet prej sot me prit me bërë gazifikimin e linjitit? Kjo do të thotë me ble çdo dy-tri vite rrymë 1-2 miliardë euro. Vjedhja e rrymës është terren si me marrë një gotë ujë në det. Në aspektin penal, për me i ndjek hajnat, provat nuk janë në një vend, por janë në Serbi, Bosnjë e Mal të Zi. Do të thotë se nuk mundesh me i mbledh, se s’ki bashkëpunim me ta dhe kjo është vjedhje e pastër”, përfundon ai.

Debati për orientimin energjetik të Kosovës është rikthyer në qendër të vëmendjes pas deklaratave të së ngarkuarës me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, e cila i bëri thirrje Kosovës që t’i bashkohet projektit rajonal të gazit natyror të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Thirrja e saj erdhi disa vite pasi Qeveria e Kosovës kishte hequr dorë nga komponenti i gazit natyror në kuadër të programit të financuar nga Millennium Challenge Corporation.

Një natë para zgjedhjeve të 7 qershorit, kryeministri në detyrë Albin Kurti deklaroi se ekzekutivi mbetet i interesuar për përdorimin e gazit, por përmes një modeli që e lidh Kosovën me infrastrukturën energjetike në Shqipëri dhe terminalin e gazit të lëngshëm në Vlorë, duke përmendur gjithashtu mundësinë e shfrytëzimit të teknologjive amerikane për gazifikimin e linjitit.