Kurti: Jemi të gatshëm për bashkëpunim në çështjen e presidentit, aktgjykimi i para 10 viteve thotë se kërkohen 80 deputetë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se procesi i numërimit të votave ende nuk ka përfunduar, duke theksuar se rezultatet përfundimtare do të mundësojnë nisjen e diskutimeve për hapat e ardhshëm politikë. “Jemi ende duke pritur numërimin e votave. Votat janë ende duke ardhur dhe duke u numëruar. Me rastin e përmbylljes së numërimit…

Lajme

12/06/2026 11:15

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se procesi i numërimit të votave ende nuk ka përfunduar, duke theksuar se rezultatet përfundimtare do të mundësojnë nisjen e diskutimeve për hapat e ardhshëm politikë.

“Jemi ende duke pritur numërimin e votave. Votat janë ende duke ardhur dhe duke u numëruar. Me rastin e përmbylljes së numërimit të votave ne do të mund të fillojmë të bisedojmë për hapat e ardhshëm. Duhet ta keni parasysh atë që është evidente përsëri, që Lëvizja Vetëvendosje është fituese e padiskutueshme bashkë me partnerët tanë të koalicionit parazgjedhor. Ne do të jemi bartës të themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të”, ka deklaruar ai.Kurti është shprehur optimist edhe për procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.“Unë jam optimist që gjërat do të shkojnë mbarë e mirë edhe sa i përket konstituimit të Kuvendit edhe sa i përket formimit të Qeverisë”, është shprehur ai.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjithashtu është deklaruar sot për çështjen e presidentit të ri të Kosovës.

Kurti para mediave tha se pret që të ketë komunikim me liderët e partive të tjera politike në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet.

“Sa i përket kuvendit, qeverisë e ndërkaq për zgjedhjen e presidentit/es ju e dini se këtë duhet bërë në bashkëpunim me opozitën për shkak të kërkesës së një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, para më shumë se një dekade që kërkohet se 80 deputetë t’i kenë votat e tyre në kuti. Pra jemi të gatshëm, e të vullnetshëm e të interesuar për komunikim e bashkëpunim”,deklaroi Kurti.

Por ai tha se kjo s’është asgjë e re nga ana e tyre.

“Ju e dini se në këtë pranverë që po i vie fundi si Qeveri e Kosovës kemi bërë oferta të jashtëzakonshme për opozitën, por ne kemi ofruar ata kanë refuzuar por shpresoj se këtë herë do të jetë ndryshe për konstituimin e legjislaturës së 11-të s’duhet ne të ndryshojmë sepse ne ishim ata që morën iniciativa për takime e ofruam bashkëqeverisje me LDK-në, e në vetëm më pak se 30 orë par 5-6 marsit nxorëm kandidatin tonë Glauk Konjufcën dhe vetëm në më pak se tri orë para po atij afati patëm edhe kandidaten e dytë Fatmire Mulhaxha-Kollçaku pas kësaj u tërhoqën të dy kandidatë dhe i thamë opozitës na sillni tre emra ua sigurojmë nënshkrimet, e po merremi vesh për tre e pastaj kush fiton është vota e fshehtë që e vendos. Kjo u refuzua e u refuzua edhe rrokada që ne të kemi presidencën, e kryetarin e kuvendit të ketë ose PDK ose LDK, e krejt në fund u refuzua edhe Feride Rushiti. Ne kishim iniciativa, oferta e propozime e konstruktivitet. Shpresojmë që të këtilla do t’i shohim edhe tiparet e opozitës për dallim nga kjo pranverë që po i vie fundi”.

Kurti s’u përgjigj nëse është për një president konsensual apo partiak./Lajmi.net/