Janina Ymeri falënderon votuesit: Kam fituar më shumë mbështetje se në zgjedhjet e fundit
Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri, ka deklaruar se në zgjedhjet e 7 qershorit ka arritur të sigurojë më shumë vota krahasuar me procesin e fundit zgjedhor të mbajtur në dhjetor të vitit 2025. Përmes një mesazhi falënderues drejtuar qytetarëve, Ymeri shprehu mirënjohjen për mbështetjen, angazhimin dhe besimin e treguar ndaj…
Lajme
Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri, ka deklaruar se në zgjedhjet e 7 qershorit ka arritur të sigurojë më shumë vota krahasuar me procesin e fundit zgjedhor të mbajtur në dhjetor të vitit 2025.
Përmes një mesazhi falënderues drejtuar qytetarëve, Ymeri shprehu mirënjohjen për mbështetjen, angazhimin dhe besimin e treguar ndaj saj gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor.
“Faleminderit shumë për përkrahjen, për mundin, për rrugën dhe votën. Faleminderit që keni treguar me votë se modeli im i opozitbërjes dhe politikbërjes është i duhuri”, ka shkruar Ymeri.
Ajo vlerësoi se rezultati i deritanishëm paraqet një konfirmim të mbështetjes në rritje për qasjen e saj politike, duke e cilësuar votën e qytetarëve si një vlerësim për punën dhe angazhimin e saj në skenën politike.
Sipas rezultateve të deritanishme, me mbi 90 për qind të votave të numëruara, Janina Ymeri renditet në vendin e 11-të në listën e LDK-së, duke grumbulluar 20 mijë e 541 vota.
Rezultati aktual e vendos atë në mesin e kandidatëve më të votuar të LDK-së, ndërsa numërimi i votave ende nuk është përmbyllur plotësisht. /Lajmi.net/