Nis Java e Dhurimit Vullnetar të Gjakut, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve: Dhuro gjak, shpëto jetë

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar fillimin e Javës së Dhurimit Vullnetar të Gjakut, e cila këtë vit organizohet nën moton “Dhuro gjak, dhuro jetë”, në bashkëpunim me Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut. Sipas njoftimit, kjo javë synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë jetike të dhurimit të gjakut, një akt humanitar që ndihmon…

Lajme

11/06/2026 15:32

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar fillimin e Javës së Dhurimit Vullnetar të Gjakut, e cila këtë vit organizohet nën moton “Dhuro gjak, dhuro jetë”, në bashkëpunim me Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut.

Sipas njoftimit, kjo javë synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë jetike të dhurimit të gjakut, një akt humanitar që ndihmon në shpëtimin e jetëve dhe në trajtimin e mijëra pacientëve që kanë nevojë për transfuzione.

Në kuadër të aktiviteteve të para të fushatës, dhjetëra zyrtarë dhe nëpunës të Ministrisë së Shëndetësisë iu përgjigjën thirrjes për të dhuruar gjak, duke kontribuar në sigurimin e rezervave të nevojshme për institucionet shëndetësore dhe pacientët në nevojë.

Ministria thekson se dhurimi vullnetar i gjakut mbetet burimi më i sigurt dhe më i qëndrueshëm për furnizimin e sistemit shëndetësor me gjak dhe produkte të gjakut, ndërsa një dhurim i vetëm mund të ndihmojë në shpëtimin e disa jetëve.

Përmes kësaj fushate, Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut kanë shprehur mirënjohje për të gjithë dhuruesit vullnetarë dhe kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen nismës humanitare duke dhuruar gjak dhe duke ndihmuar në sigurimin e sasive të mjaftueshme për pacientët që kanë nevojë për trajtim.

“Dhurimi i gjakut është një akt i thjeshtë, i sigurt dhe human. Çdo dhurim mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes për pacientët që kanë nevojë për transfuzion”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë. /Lajmi.net/