Kosova tërhiqet nga Evropiani i golfit,shkak moslejimi i flamurit shtetëror
Federata e Golfit e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Seniorëve 2026, i cili ka nisur sot në Paphos të Qipros, për shkak të moslejimit të paraqitjes së Republikës së Kosovës me simbolet e saj shtetërore. Sipas një komunikate zyrtare të federatës, golfisti kosovar Azer Bislimaj kishte siguruar…
Sport
Federata e Golfit e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Seniorëve 2026, i cili ka nisur sot në Paphos të Qipros, për shkak të moslejimit të paraqitjes së Republikës së Kosovës me simbolet e saj shtetërore.
Sipas një komunikate zyrtare të federatës, golfisti kosovar Azer Bislimaj kishte siguruar kualifikimin për herë të dytë radhazi në këtë kampionat prestigjioz evropian, ku do të garonte mes përfaqësuesve të 29 shteteve dhe lojtarëve më të mirë seniorë të kontinentit.
Federata bën të ditur se regjistrimi zyrtar për pjesëmarrje ishte kryer më 23 prill 2026, ndërsa të gjitha obligimet financiare, përfshirë shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit, ishin përmbushur me kohë.
Përgatitjet e Bislimajt për kampionatin kishin qenë intensive. Ai kishte zhvilluar dy kampe stërvitore në Spanjë, si dhe pesë javë stërvitje në Travemunde të Gjermanisë nën drejtimin e trajneres gjermane Madeleine Kruger.
Federata e Golfit e Kosovës ka falënderuar Shoqatën Evropiane të Golfit (EGA) për angazhimin dhe përpjekjet e saj në gjetjen e një zgjidhjeje që do të mundësonte pjesëmarrjen e Kosovës në kampionat.
Sipas komunikatës, EGA kishte përfshirë Azer Bislimajn në të gjitha materialet dhe sistemet zyrtare të garës me emrin e tij dhe flamurin e Republikës së Kosovës, duke dëshmuar gatishmërinë për trajtim të barabartë të shtetit kosovar.
Megjithatë, më 27 maj 2026, Federata e Golfit e Kosovës ishte informuar se, bazuar në një vendim të autoriteteve shtetërore të Qipros dhe të mbështetur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e këtij vendi, Kosova nuk do të lejohej të përfaqësohej me simbolet e saj shtetërore në të njëjtat kushte si shtetet e tjera pjesëmarrëse.
Sipas federatës, flamuri i Republikës së Kosovës nuk do të mund të shfaqej në ambientet e kampionatit në mënyrë të barabartë me flamujt e 28 shteteve të tjera pjesëmarrëse.
Po ashtu, Federata e Golfit e Kosovës thekson se gjatë procesit të regjistrimit dhe javëve që pasuan nuk ishte njoftuar për ekzistimin e këtij kufizimi, ndërsa informacioni ishte komunikuar vetëm pasi të gjitha përgatitjet sportive, organizative dhe financiare ishin përfunduar.
“Ne nuk kërkuam trajtim të veçantë. Kërkuam vetëm të njëjtin trajtim që iu ofrua të gjitha shteteve pjesëmarrëse”, thuhet në reagimin e federatës.
Për këtë arsye, Federata e Golfit e Kosovës ka vendosur të mos autorizojë pjesëmarrjen e golfistit kosovar në Kampionatin Evropian të Seniorëve 2026, duke argumentuar se nuk mund të pranojë pjesëmarrje në gara ndërkombëtare pa të drejtën e përfaqësimit me identitetin dhe simbolet zyrtare të shtetit.
Pavarësisht këtij zhvillimi, federata ka ritheksuar përkushtimin për zhvillimin e golfit në Kosovë dhe për bashkëpunimin me institucionet evropiane dhe botërore të këtij sporti, duke shprehur shpresën që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen./rtk