Janina Ymeri padit Konjufcën për shpifje: Kërkon edhe dëmshpërblim për bamirësi

Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Janina Ymeri, ka njoftuar se së bashku me përfaqësuesin e saj ligjor Donat Lushaku kanë dorëzuar padi për shpifje ndaj zëvendëskryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Sipas saj, padia lidhet me deklarime të bëra në emisionin “Debat Plus”, ku ajo pretendon se është cënuar…

Lajme

11/06/2026 11:00

Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Janina Ymeri, ka njoftuar se së bashku me përfaqësuesin e saj ligjor Donat Lushaku kanë dorëzuar padi për shpifje ndaj zëvendëskryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Sipas saj, padia lidhet me deklarime të bëra në emisionin “Debat Plus”, ku ajo pretendon se është cënuar reputacioni i saj. Ymeri thekson se nga i padituri kërkohet falje publike për deklarimet, ndërsa në rast të kundërt kërkohet kompensim financiar, i cili sipas saj do t’i dedikohej shoqatës “Down Syndrome Kosova”.

Në deklarimin e saj publik, Ymeri thotë se brenda më pak se një viti është përfshirë në tri procese ligjore që lidhen me çështje të energjisë elektrike dhe akuzat për shpifje. Ajo përmend një rast të dërguar për hetim në Prokurorinë Speciale lidhur me pretendime për keqpërdorime në sektorin e energjisë, ku janë të përfshira KOSTT dhe ZRRE.

Gjithashtu, ajo thotë se është paditur nga KEK për shpifje, por sipas saj rasti është rrëzuar në një fazë të mëhershme dhe procesi vazhdon ende.

Ymeri e përshkruan situatën si “tri beteja ligjore brenda një viti”, duke theksuar se të gjitha lidhen me të njëjtën temë që ajo e quan “hajnia e energjisë elektrike”, duke shtuar se përballja e saj është kundrejt asaj që e quan “aparati shtetëror”.

Rasti pritet të trajtohet në procedurat gjyqësore në vijim, ndërsa palët nuk kanë dhënë ende reagime shtesë pas dorëzimit të padisë. /Lajmi.net/