“Nëse nuk i bëjmë 80 deputetë, shkojmë sërish në zgjedhje”, çfarë deklaronte Kurti para 7 qershorit

Vetëm pak javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte paralajmëruar se zgjedhjet e reja nuk do ta zgjidhnin krizën politike në vend nëse subjekti i tij nuk do të arrinte të siguronte 80 deputetë në Kuvend. Në një video-mesazh të publikuar më…

Lajme

11/06/2026 10:29

Vetëm pak javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte paralajmëruar se zgjedhjet e reja nuk do ta zgjidhnin krizën politike në vend nëse subjekti i tij nuk do të arrinte të siguronte 80 deputetë në Kuvend.

Në një video-mesazh të publikuar më 24 prill në Facebook, Kurti kishte argumentuar se problemi kryesor mbetej zgjedhja e presidentit të vendit, për të cilën nevojiten 80 vota në Kuvend.

“Meqenëse problemi kryesor mbetet nevoja për 80 deputetë për kuorum te çështja e Presidentit, zgjedhjet nuk do të sjellin zgjidhje. Nëse shkojmë në zgjedhje në qershor dhe LVV me partnerët nuk i mbërrin 80 deputetë, atëherë do të shkojmë sërish në zgjedhje në vjeshtë a dimër”, deklaronte Kurti.

Në të njëjtin adresim, ai kishte theksuar se organizimi i zgjedhjeve të reja do t’i kushtonte Kosovës të paktën 10 milionë euro dhe se përsëritja e procesit zgjedhor mund të prodhonte rezultate të ngjashme me ato ekzistuese, shkruan lajmi.net.

Kurti kishte bërë të ditur se kishte ofruar disa formula kompromisi për të zhbllokuar situatën politike, duke përfshirë oferta për bashkëqeverisje me LDK-në dhe propozime që PDK-ja të merrte drejtimin e Kuvendit, por sipas tij, të gjitha ishin refuzuar.

Ai kishte akuzuar PDK-në dhe LDK-në se qëllimi i tyre nuk ishte marrja e përgjegjësive institucionale, por largimi i Vetëvendosjes nga pushteti.

“Realisht, ata nuk janë duke dashur as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet”, kishte deklaruar Kurti.

Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit nuk i ka sjellë Vetëvendosjes numrat që vetë Kurti i kishte konsideruar të nevojshëm për zgjidhjen afatgjatë të krizës institucionale. Sipas rezultateve aktuale, LVV ka siguruar 48 ulëse në Kuvend, ose rreth 42.96 për qind të votave, dukshëm më pak se 80 deputetët që Kurti kishte përmendur si të nevojshëm për tejkalimin e bllokadave politike që lidhen me zgjedhjen e presidentit.

Mbetet të shihet nëse deklarata e bërë para zgjedhjeve do të reflektohet edhe në qëndrimet e tij pas rezultatit të 7 qershorit dhe në hapat që do të ndërmerren për formimin e institucioneve të reja. /Lajmi.net/