Arrestohet një person për shpërthimin e fuqishëm në Strellc të Epërm, dërgohet në mbajtje për 48 orë
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, lidhur me një shpërthim që kishte ndodhur në fshatin Strellc i Epërm të Deçanit. Sipas njoftimit të Policisë, më 9 qershor 2026 Stacioni Policor në Deçan kishte pranuar informatë për një shpërthim të fuqishëm në oborrin e një…
Lajme
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, lidhur me një shpërthim që kishte ndodhur në fshatin Strellc i Epërm të Deçanit.
Sipas njoftimit të Policisë, më 9 qershor 2026 Stacioni Policor në Deçan kishte pranuar informatë për një shpërthim të fuqishëm në oborrin e një shtëpie në këtë fshat.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, zyrtarët policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë takuar viktimën dhe kanë konstatuar se shpërthimi kishte ndodhur në oborrin e banesës së tij.
Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa pas një pune intensive të hetuesve të Sektorit Rajonal për Hetime në Pejë, më 10 qershor është arritur identifikimi dhe arrestimi i personit të dyshuar.
I dyshuari është intervistuar nga hetuesit në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me motivet e rastit apo llojin e mjetit shpërthyes të përdorur, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë duke vazhduar. /Lajmi.net/