Incident në Prishtinë: Digjen matësit e energjisë në një objekt banesor

Një ngjarje e papritur ka ndodhur mbrëmë, në lagjen Dardania në Prishtinë. Në një kompleks banesor, papritmas dhe nga shkaqe të panjohura, matësit e energjisë elektrike kanë marrë flakë, raporton IndeksOnline. Një nga banorët e atij blloku ka deklaruar për IndeksOnline se së pari ishte ndalur një linjë e energjisë, si pasojë e së cilës…

Lajme

11/06/2026 09:51

Një ngjarje e papritur ka ndodhur mbrëmë, në lagjen Dardania në Prishtinë.

Në një kompleks banesor, papritmas dhe nga shkaqe të panjohura, matësit e energjisë elektrike kanë marrë flakë, raporton IndeksOnline.

Një nga banorët e atij blloku ka deklaruar për IndeksOnline se së pari ishte ndalur një linjë e energjisë, si pasojë e së cilës kanë mbetur pa furnizim plot pajisje, përfshirë dhe ashensorin e objektit.

Më pas, orët matëse që gjenden në katin e parë të bllokut, u përfshinë nga zjarri.

“Ka pasur shumë tym, tym që të ngufatë. Ne, banorët, u detyruam të mbyllim dyert dhe të shpresojmë që zjarri të mos rritet. Hyrja e objektit ka qenë e bllokuar. I kemi lajmëru menjëherë zjarrfikësit dhe KEDS-in” deklaroi për IndeksOnline një banore në atë ndërtesë.

I gjithë objekti vazhdon të qëndrojë pa energji, teksa ekipet e KEDS-it aktualisht janë duke punuar në rrjetin furnizues në këtë ndërtesë.

Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar edhe zëvendëskomandanti i zjarrfikësve, Samed Shkodra.

Shkodra bëri me dije se ekipet e zjarrfikësve iu përgjigjen telefonatës në rrugën “Ilaz Kodra”, por intervenimi nuk ishte i nevojshëm sepse fatmirësisht zjarri sihe ndalur me tu ndërprerë energjia nga njësiti i KEDS-it.