BQK dhe Departamenti i Thesarit i SHBA-së thellojnë bashkëpunimin për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka pritur një mision të asistencës teknike të Zyrës për Asistencë Teknike (OTA) të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të një projekti të ri që synon forcimin e kapaciteteve institucionale në fushën e parandalimit të pastrimit të parave…
Lajme
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka pritur një mision të asistencës teknike të Zyrës për Asistencë Teknike (OTA) të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të një projekti të ri që synon forcimin e kapaciteteve institucionale në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit (AML/CFT).
Sipas njoftimit të BQK-së, misioni u udhëhoq nga ekspertët Joseph W. Burke dhe Norman Smith, ndërsa diskutimet u fokusuan në avancimin e mëtejmë të ekspertizës mbikëqyrëse dhe rritjen e efektivitetit të mekanizmave për mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar në Kosovë.
Gjatë takimit, guvernatori Ismaili prezantoi mandatin, detyrat dhe përgjegjësitë e BQK-së, me theks të veçantë në rolin e institucionit në ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e mbikëqyrjes kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe në luftimin e falsifikimit të monedhës.
Ai vuri në pah progresin e arritur në avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, duke përfshirë zbatimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, hartimin e rregulloreve për kripto-asetet, licencimin e ofruesve të shërbimeve të kripto-aseteve dhe forcimin e mekanizmave për shqyrtimin e investimeve të reja në tregun financiar të Kosovës.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua projektit të ri që do të zbatohet në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Financave, Bankës Qendrore të Kosovës, Njësisë së Inteligjencës Financiare dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Me këtë rast, guvernatori Ismaili nënshkroi Termat e Referencës për projektin, duke riafirmuar angazhimin e BQK-së për forcimin e kornizës kombëtare kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të përhapjes së armëve, si dhe për thellimin e bashkëpunimit institucional në mbrojtje të sistemit financiar të vendit.
Në fund të takimit, Ismaili shprehu mirënjohje ndaj Departamentit të Thesarit të SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme, asistencën teknike dhe partneritetin institucional në avancimin e standardeve financiare në Kosovë. /Lajmi.net/