Bajrami mbron lirinë e medias: Media e lirë mund të gabojë, media e kontrolluar është gabimi vetë

Hykmete Bajrami ka reaguar kundër çdo nisme për mbylljen e emisioneve televizive dhe kundër çdo forme presioni politik apo institucional ndaj mediave, pavarësisht se, sipas saj, edhe vetë ka qenë shpesh objekt i trajtimit të padrejtë nga një emision televiziv. Në një postim në Facebook, Bajrami ka shkruar se “një media e lirë mund të…

Lajme

10/06/2026 19:42

Hykmete Bajrami ka reaguar kundër çdo nisme për mbylljen e emisioneve televizive dhe kundër çdo forme presioni politik apo institucional ndaj mediave, pavarësisht se, sipas saj, edhe vetë ka qenë shpesh objekt i trajtimit të padrejtë nga një emision televiziv.

Në një postim në Facebook, Bajrami ka shkruar se “një media e lirë mund të gabojë”, por “një media e kontrolluar është gabimi vetë”, duke theksuar se liria e medias nuk duhet mbrojtur vetëm kur mediat janë të favorshme ndaj politikanëve apo publikut.

Ajo ka thënë se në emisionin “Debat Plus”, sidomos gjatë fushatave zgjedhore, moderatori ka përsëritur disa herë, sipas saj në mënyrë të njëanshme, denigruese dhe jashtë kontekstit, pretendimin se “Hykmete Bajrami nuk e ka problem Listën Serbe”.

Bajrami ka vlerësuar se kjo deklaratë është shkëputur nga konteksti dhe është përdorur për të krijuar një rrëfim të pavërtetë e të dëmshëm ndaj saj. Sipas saj, nga kjo janë krijuar dhe shpërndarë edhe montazhe fotosh e videosh të manipuluara, përfshirë edhe përmes inteligjencës artificiale.

Ajo ka thënë se këto përmbajtje kanë sjellë kërcënime dhe ndjenjë pasigurie për të dhe familjen e saj.

Megjithatë, Bajrami ka theksuar se pavarësisht dëmit personal që thotë se i është shkaktuar, ajo del hapur kundër mbylljes së cilitdo emision dhe kundër çdo përpjekjeje të pushtetit për të kontrolluar, ndëshkuar apo heshtur mediat.

“Liria e medias nuk mbrohet vetëm kur media sillet mirë me ne; ajo mbrohet sidomos kur kemi arsye personale për t’u ndier të dëmtuar prej saj”, ka shkruar Bajrami.

Sipas saj, çdo presion institucional apo politik ndaj mediave është akt i rrezikshëm dhe bie ndesh me frymën demokratike dhe standardet evropiane.