BE: Kosova duhet të përshpejtojë reformat për zhvillimin e sektorit privat dhe biznesit
Bashkimi Evropian ka theksuar rëndësinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) si shtytëse kryesore të rritjes ekonomike, inovacionit dhe krijimit të vendeve të punës në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Kjo u theksua gjatë prezantimit të analizës së Indeksit të Politikave për NVM-të, një instrument i zhvilluar nga OECD në bashkëpunim me…
Lajme
Bashkimi Evropian ka theksuar rëndësinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) si shtytëse kryesore të rritjes ekonomike, inovacionit dhe krijimit të vendeve të punës në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Kjo u theksua gjatë prezantimit të analizës së Indeksit të Politikave për NVM-të, një instrument i zhvilluar nga OECD në bashkëpunim me Komisionin Evropian, që synon të ndihmojë vendet e rajonit në hartimin e politikave dhe strategjive të bazuara në dëshmi për zhvillimin e sektorit privat, transmeton lajmi.net.
Postimi i plotë:
Me mbështetjen e
BE-së, NVM-të dhe ndërmarrësit janë nxitësit kryesorë të rritjes gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, inovacionit dhe krijimit të vendeve të punës në Kosovë dhe në mbarë Ballkanin Perëndimor.
Sot, kjo mbështetje u pa përmes prezantimit të analizës së Indeksit të Politikave për NVM-të – një mjet që i ndihmon Kosovës dhe rajonit më të gjerë për dizajnimin e politikave dhe strategjive të bazuara në dëshmi, si dhe për zbatimin, në fushat e mjedisit të biznesit dhe zhvillimit të sektorit privat, të reformave të lidhura me #Planin e BE-së për Rritje Ekonomike të Ballkanit Perëndimor.
“Në kuadër të Planit për Rritje, Kosova ka prezantuar një agjendë ambicioze të reformave në fushën e zhvillimit të sektorit privat dhe mjedisit të biznesit, duke paraqitur 7 reforma themelore dhe 26 hapa që synojnë promovimin e investimeve dhe eksporteve, si dhe një kornizë rregullatore efektive, çka përfundimisht nxit inovacionin dhe rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, u shpreh Shefja në detyrë e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova. “Kjo duhet të ndiqet nga përshpejtimi substancial i ritmit të reformave”, shtoi ajo.
Me 3.7 miliardë euro të investuara që nga viti 1999, BE-ja mbetet partneri më i fuqishëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare, me 60% të investimeve të huaja direkte në Kosovë që vijnë nga BE-ja.
Indeksi i Politikave për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) u zhvillua nga OECD-ja në partneritet me Komisionin Evropian, ndërsa analizat për Kosovën u prodhuan në bashkëpunim me institucionet e Kosovës.
Ngjarja ofroi një mundësi për të diskutuar si mundet Kosova t’i përafrojë më tej politikat e saj për NVM-të me praktikat e mira të BE-së dhe OECD-së, duke u ndihmuar bizneseve të bëhen më konkurruese, reziliente dhe të gatshme për mundësitë e ardhshme./lajmi.net/