Këshilli Kombëtar Shqiptar themelon Institutin për Kulturë Shqiptare në Luginën e Preshevës

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës Enkel Rexhepi , ka njoftuar se Këshilli ka miratuar themelimin e Institutit për Kulturë Shqiptare, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në fuqizimin e institucioneve kombëtare shqiptare në Luginën e Preshevës dhe Sanxhakut. Rexhepi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se vendimi…

Lajme

09/06/2026 16:34

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës Enkel Rexhepi , ka njoftuar se Këshilli ka miratuar themelimin e Institutit për Kulturë Shqiptare, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në fuqizimin e institucioneve kombëtare shqiptare në Luginën e Preshevës dhe Sanxhakut.

Rexhepi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se vendimi është miratuar me 10 vota pro dhe asnjë kundër.

“Instituti do të ketë për mision ruajtjen, studimin, promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, historike dhe identitare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe Sanxhakut”, ka thënë Rexhepi.

Ai theksoi se bëhet fjalë për një arritje të rëndësishme institucionale, pasi për herë të parë po krijohet një mekanizëm i specializuar që do të punojë në mënyrë profesionale për dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare shqiptare.

Rexhepi falënderoi këshilltarët që morën pjesë në seancë dhe mbështetën projektin, ndërsa bëri të ditur se pesë këshilltarë të APN-së munguan në seancë.

“Instituti për Kulturë Shqiptare është një investim për identitetin tonë, historinë tonë dhe brezat që do të vijnë. Ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe një dëshmi se me punë, përkushtim dhe vizion mund të ndërtojmë institucione të qëndrueshme në shërbim të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, ka thënë ai.