Lista Serbe mori mbi 6 mijë vota jashtë komunave me shumicë serbe, Imeri: Bie pretendimi i Vuçiqit
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Dorajet Imeri, ka kundërshtuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe pretendimet e vazhdueshme të Listës Serbe lidhur me votat që Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e udhëhequr nga Nenad Rashiq, ka marrë jashtë komunave me shumicë serbe. Ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që e quajti Partinë e…
Lajme
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Dorajet Imeri, ka kundërshtuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe pretendimet e vazhdueshme të Listës Serbe lidhur me votat që Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e udhëhequr nga Nenad Rashiq, ka marrë jashtë komunave me shumicë serbe.
Ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që e quajti Partinë e udhëhequr nga Nenad Rashiqi “Lista Kurti”, duke u mbështetur në votat që ky subjekt i kishte marrë jahstë komunave me shumicë serbe, por që rezultoi që në të njëjtat komuna vota të merrte edhe Lista Serbe.
“Para së gjithash, dua të përgëzoj popullin tonë në Kosovë, i cili konfirmoi me një shumicë të pabesueshme se ku e sheh veten dhe vendin e tij. Serbët ia dhanë besimin Listës Serbe me gati 43 mijë vota, ndërsa ‘lista shqiptare’, ‘Lista e Kurtit’, mori pak më pak se 3 mijë. Nëse shikoni kushtet në të cilat ndodhej, duhet t’i përgëzoni për forcën dhe këmbënguljen e tyre. Faleminderit që mbajtët emrin dhe mbiemrin serb. Dhe duhet të theksoj se këto ishin shumë më tepër vota sesa në zgjedhjet e mëparshme”, ka pretenduar Vuçiq.
E, për Dorajet Imerin kjo deklaratë e Vuçiqit përmban një kundërthënie të qartë, pasi siç thotë ai, presidenti serb problematizon votat e Rashiqit në komunat me shumicë shqiptare, ndërkohë që nuk e trajton në të njëjtën mënyrë faktin se edhe Lista Serbe ka siguruar mijëra vota jashtë bastioneve të saj (komunave me shumicë serbe).
“Deklarata e Vuçiqit për zgjedhjet në Kosovë përmban një ndërthënie të qartë. Nga njëra anë ai pretendon se votat e marra nga Nenad Rashiq jashtë komunave me shumicë serbe janë problematike, por kjo nuk paraqet problem për votat që Lista Serbe ka marrë edhe në komunat ku nuk jetojnë serbët. Sipas rezultateve zgjedhore Lista Serbe ka siguruar 6 mijë e 330 vota në 23 komuna, jashtë 10 komunave me shumicë serbe, ku e ka bazën e saj tradicionale dhe qeverisin në nivelin lokal”, tha Imeri.
Ai shtoi se vota për Listën Serbe janë evidentuar edhe në komuna ku komuniteti serb nuk ka prani të konsiderueshme.
“Votat për Listën Serbe janë evidentuar edhe në komuna si në Podujevë, Shtime, Ferizaj, Viti Malishevë, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Mamushë ku komuniteti serb nuk ekziston. Në demokraci legjitimiteti i mandatit nuk matet me vendbanimin e votuesit, por me faktin nëse vota është hedhur në mënyrë të lirë dhe sipas ligjit, çdo interpretim tjetër përmban një standard të dyfishtë për manipulim në këto zgjedhje”, tha ai./KP