Transferohet nga Shqipëria në Kosovë një i dënuar për trafikim armësh, do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit

Policia e Kosovës ka njoftuar se, në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë dhe autoritetet shqiptare, ka realizuar transferimin e një shtetasi kosovar nga Shqipëria në Kosovë për vazhdimin e vuajtjes së dënimit me burg. Sipas njoftimit, transferimi është kryer të martën përmes Pikës Kufitare në Morinë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me…

Lajme

09/06/2026 15:57

Policia e Kosovës ka njoftuar se, në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë dhe autoritetet shqiptare, ka realizuar transferimin e një shtetasi kosovar nga Shqipëria në Kosovë për vazhdimin e vuajtjes së dënimit me burg.

Sipas njoftimit, transferimi është kryer të martën përmes Pikës Kufitare në Morinë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante policore dhe institucionet kompetente.

Policia bëri të ditur se personi ishte dënuar në Shqipëri me pesë vjet burgim për veprën penale “trafikim i armëve dhe municionit”.

Pas transferimit në Kosovë, ai i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, pasi një pjesë të tij e kishte kryer në burgjet e Shqipërisë.

Sipas Policisë së Kosovës, transferimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi, marrëveshjet dypalëshe dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Policia theksoi se bashkëpunimi ndërkombëtar do të vazhdojë edhe në të ardhmen me qëllim të shkëmbimit të informacioneve, luftimit të kriminalitetit dhe kapjes së personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit. /Lajmi.net/