Kryeprokurori i Prizrenit pret përfaqësuesit e Thesarit amerikan, fokus lufta kundër pastrimit të parave
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur të martën në një takim pune përfaqësuesit e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph W. Burke dhe Norman Richard Smith, këshilltarë për krime ekonomike në kuadër të Zyrës së Asistencës Teknike. Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit…
Lajme
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur të martën në një takim pune përfaqësuesit e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph W. Burke dhe Norman Richard Smith, këshilltarë për krime ekonomike në kuadër të Zyrës së Asistencës Teknike.
Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftimin e pastrimit të parave, identifikimin dhe hetimin e veprave penale financiare, si dhe avancimin e mekanizmave për adresimin e formave të sofistikuara të kriminalitetit ekonomik, transmeton lajmi.net.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar sfidave në identifikimin dhe hetimin e rasteve të pastrimit të parave, gjurmimit të pasurisë së kundërligjshme dhe forcimit të kapaciteteve profesionale për ndjekjen efektive të këtyre veprave penale.
Po ashtu, bashkëbiseduesit kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të praktikave më të mira ndërkombëtare në luftën kundër krimeve financiare.
Kryeprokurori Kryeziu ka falënderuar përfaqësuesit amerikanë për vizitën dhe bashkëpunimin, si dhe ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së SHBA-së ndaj sistemit prokurorial në Kosovë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Departamentit të Thesarit amerikan kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë në Kosovë, me synim forcimin e mekanizmave për parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e rasteve të pastrimit të parave dhe krimeve të tjera financiare.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit profesional dhe shkëmbimin e përvojave për forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e integritetit financiar e institucional.