Radoniqi: Numërimi i votave po shkon pa probleme, procesi mund të përfundojë para afatit

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se procesi i numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit po zhvillohet normalisht dhe pa pengesa të theksuara. Gjatë vizitës së tij në Qendrën Komunale të Numërimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Radoniqi ka thënë se të gjitha përgatitjet janë bërë me qëllim…

Lajme

09/06/2026 12:44

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se procesi i numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit po zhvillohet normalisht dhe pa pengesa të theksuara.

Gjatë vizitës së tij në Qendrën Komunale të Numërimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Radoniqi ka thënë se të gjitha përgatitjet janë bërë me qëllim që procesi të zhvillohet pa probleme dhe sipas planifikimeve.

“Të gjitha përgatitjet janë bërë që numërimi të shkojë në rregull dhe shpresojmë që me këtë tempo numërimi do të përfundojë deri kah fundi i javës, eventualisht në mesin e javës tjetër”, ka deklaruar ai.

Radoniqi ka theksuar se deri më tani nuk janë raportuar probleme serioze gjatë procesit, përveç një rasti teknik në Vushtrri, i cili është zgjidhur menjëherë.

“Deri më tani nuk kemi pas asnjë problem. Në Vushtrri vetëm një problem me lidhjen e internetit dhe është sanuar dhe numërimi ka vazhduar në rregull. Kontrolli është pak më i lartë. Procesi deri më tani nuk ka probleme dhe nuk kemi ankesa nga asnjëra palë”, ka shtuar ai.

Ai ka folur edhe për afatet e përfundimit të procesit, duke thënë se data zyrtare sipas planit operacional është 6 korriku, por sipas tij, numërimi mund të përfundojë më herët.

“Ky është proces dinamik, nuk mund të jap datë të saktë. Sipas planit operacional është data 6 korrik, por unë besoj se kah fundi i qershorit do të jemi gati me gjithë rezultatin”, është shprehur Radoniqi. /Lajmi.net/