Avokati Koci kritikon ashpër skenën politike: Kosova është futur në krizë të thellë institucionale

Avokati Arianit Koci ka kritikuar ashpër zhvillimet në skenën politike në Kosovë, duke thënë se ajo është “bastarduar” në rrethana të krizës institucionale dhe mungesës së kompromisit politik. Në një reagim të publikuar në Facebook, Koci ka përmendur si shembull procesin e përsëritur të propozimit të Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke thënë se…

Lajme

09/06/2026 11:53

Avokati Arianit Koci ka kritikuar ashpër zhvillimet në skenën politike në Kosovë, duke thënë se ajo është “bastarduar” në rrethana të krizës institucionale dhe mungesës së kompromisit politik.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Koci ka përmendur si shembull procesin e përsëritur të propozimit të Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke thënë se kjo situatë ka ndikuar në bllokimin institucional dhe krijimin e një klime të paqëndrueshme politike.

Sipas tij, nëse pas tentimeve të para do të ishte propozuar një emër tjetër, vendi sot mund të kishte një qeveri më stabile dhe më funksionale.

Ai ka theksuar se Kosova funksionon mbi bazën e konsensusit politik dhe se, pavarësisht numrit të votave të fituara nga një parti, gjithmonë nevojiten partnerë për koalicion.

Koci ka shtuar se situata aktuale i ka hapur rrugë partive opozitare që në proceset e ardhshme zgjedhore të rrisin kërkesat e tyre politike, duke e komplikuar më tej formimin e qeverive.

Në reagimin e tij, ai ka kritikuar edhe qasjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke thënë se insistimi në një emër të vetëm në një proces që kërkon kompromis ka ndikuar në dobësimin e aftësisë për ndërtim të aleancave politike.

Sipas Kocit, në politikë nuk mjafton vetëm fitorja në zgjedhje, por edhe ndërtimi i partneriteteve që mundësojnë qeverisjen funksionale.

Ai ka shtuar se humbja e besimit politik sjell pasoja të mëdha, duke theksuar se në fund mbijeton ai që e mban fjalën dhe ndërton besueshmëri te qytetarët. /Lajmi.net/