Dogana e Kosovës zbulon mbi 30 mijë euro të padeklaruara në pikën kufitare të Bërnjakut, konfiskohet një pjesë e shumës

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve rutinore në pikën kufitare në Bërnjak janë zbuluar mjete monetare të padeklaruara në vlerë të konsiderueshme. Sipas njoftimit zyrtar, zyrtarët doganorë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë selektuar për kontroll të detajuar një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga shtetas të huaj,…

Lajme

09/06/2026 11:48

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve rutinore në pikën kufitare në Bërnjak janë zbuluar mjete monetare të padeklaruara në vlerë të konsiderueshme.

Sipas njoftimit zyrtar, zyrtarët doganorë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë selektuar për kontroll të detajuar një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga shtetas të huaj, gjatë daljes nga territori i Kosovës.

Pas intervistimit fillestar, udhëtarët kanë deklaruar se nuk posedonin mjete monetare apo mallra për deklarim. Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar të automjetit dhe bagazhit është gjetur një sasi e konsiderueshme parash e padeklaruar.

Në total janë zbuluar 25 mijë e 515 euro dhe 565 mijë e 60 dinarë serbë, që në vlerë të përafërt arrijnë rreth 30 mijë e 328 euro.

Sipas Doganës, shuma e tejkalon kufirin ligjor prej 10 mijë eurosh, për të cilin kërkohet deklarim i detyrueshëm në kufi.

Në përputhje me legjislacionin në fuqi, autoritetet kanë konfiskuar 25 për qind të shumës totale, ndërsa 75 për qind e mjeteve monetare është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e verifikimeve për burimin dhe ligjshmërinë e tyre.

Rasti do të trajtohet nga njësitë kompetente hetimore, ndërsa Dogana e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj në luftimin e aktiviteteve të paligjshme financiare dhe ruajtjen e integritetit doganor të vendit. /Lajmi.net/