Islami: Institucionet serbe dyshohet se ushtruan presion mbi votuesit në Kosovë
Gjatë procesit të fundit zgjedhor në Kosovë, është raportuar për ndikim dhe presion nga institucionet e Serbisë ndaj komunitetit serb në Kosovë, me qëllim orientimin e votës në favor të Listës Serbe. Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka deklaruar se institucionet e Beogradit kanë përdorur mekanizma shtetërorë për të ndikuar në sjelljen elektorale…
Lajme
Gjatë procesit të fundit zgjedhor në Kosovë, është raportuar për ndikim dhe presion nga institucionet e Serbisë ndaj komunitetit serb në Kosovë, me qëllim orientimin e votës në favor të Listës Serbe.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka deklaruar se institucionet e Beogradit kanë përdorur mekanizma shtetërorë për të ndikuar në sjelljen elektorale të qytetarëve serbë në Kosovë.
Sipas tij, Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) është aktivizuar në pikat kufitare, ku janë ndaluar dhe marrë në pyetje qytetarë serbë që kanë hyrë apo dalë nga territori i Kosovës.
“Përmes ndalimit dhe marrjes në pyetje të dhjetëra qytetarëve serbë, ky aparat sigurie ushtroi presion të hapur mbi zërat kritikë dhe kundërshtarët e Listës Serbe”, ka deklaruar Islami.
Ai shton se qytetarëve u janë dhënë mesazhe paralajmëruese lidhur me mbështetjen e partive opozitare serbe dhe qëndrimet politike kundër linjës së Beogradit.
“Zyrtarët e BIA-s u dhanë mesazhe të qarta qytetarëve: çdo mbështetje për partitë opozitare serbe ose kundërshtim i vijës politike të Beogradit do të pasohej me pengesa dhe kufizime të lirisë së lëvizjes”, thuhet në deklaratë.
Sipas Islamit, këto veprime synojnë të ndikojnë në proceset demokratike në Kosovë dhe të favorizojnë Listën Serbe si subjekt politik në zgjedhje. /Lajmi.net/