Vetëm 37.05% dolën në votime, çfarë mesazhi dhanë qytetarët?
Afër dy milionë qytetarë kishin të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Por me 7 qershor, këtë të drejtë në Kosovë, e shfrytëzuan mbi 726 mijë persona. Madje, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pjesëmarrja e qytetarëve në votime të dielën, ishte më e ulët për afër 10%. E si…
Lajme
Afër dy milionë qytetarë kishin të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Por me 7 qershor, këtë të drejtë në Kosovë, e shfrytëzuan mbi 726 mijë persona.
Madje, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pjesëmarrja e qytetarëve në votime të dielën, ishte më e ulët për afër 10%.
E si alarmante këto shifra po i sheh kryesuesi i delegacionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Iulian Bulai.
“Megjithatë, në një vend me histori të pjesëmarrjes së lartë në votime, rënia e ndjeshme e pjesëmarrjes së votuesve duhet të shërbejë si një alarm serioz. Në numrin e kufizuar të qendrave të votimit që vëzhguam, delegacioni konstatoi se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe profesionale. Zyrtarët zgjedhorë treguan kompetencë dhe atmosfera ishte e qetë dhe e rregullt, ndërsa qendrat e votimit u menaxhuan në mënyrë efektive si nga përfaqësuesit e komuniteteve shumicë ashtu edhe nga ata të komuniteteve joshumicë. Megjithatë, vështirësitë gjuhësore të shkaktuara nga përfaqësimi i pamjaftueshëm i komunitetit që përbën shumicën në disa komuna krijuan disa tensione në raste të veçanta”, Bulai.
Si problem mospjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje po e sheh edhe analisti Korab Blakaj.
“Ky është një problem strukturor i demokracisë në Kosovë që konsiston në vendimmarrjen e shumicës. Duke qenë se shumica nuk ndihet e përfaqësuar me këtë sistem të degjeneruar politikë ajo zgjedhe të bojkotoj zgjedhjet. Dy të tretat e popullit në Kosovë nuk ndihen të përfaqësuar më këtë klasë të degjeneruar politike prandaj zgjedhin të mos marrin pjesë. Sistemi funksionon me atë pjesë të popullatës që nuk do të i lë institucionet pa zot të tyre”, ka thënë Blakaj.
E vet qytetarët, nuk shprehen optimist se politikanët mund të gjejnë gjuhë të përbashkët.
“Parapërgatitje për zgjedhjet e reja kështu e shoh ,unë e kam dëshirë me qenë gabim”, u shpreh Desku.
‘Po mendoj që prapë do të shkojmë në zgjedhje shkaku se njerëzit nuk janë duke i kuptuar gjërat. Ata të rinjtë janë duke menduar që bëhet diçka por me të fortë nuk bëhet”, ka thënë Qorri.
“Këtë koha e kallëzon nuk është çudi asgjë nuk janë dal nuk janë dal. Veç vetit ia bëjnë se nuk ka shans pa u emëruar institucionet, nuk mundet shtëpia pa zot shtëpie”, u shpreh Doda.
Ndryshe, nga 100% e votave të numëruara, LVV prin me 42.91%, ndërsa në vendin e dytë është renditur PDK me 21.13%, e pasuar nga LDK me 17.59% dhe AAK me 7.16%./teve1