Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për anëtarin e komisionit zgjedhor, dyshohet për asgjësim të fletëvotimeve

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të pandehuri, i cili dyshohet për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”. Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur dje, gjatë procesit zgjedhor për Kuvendin e Kosovës, në qendrën e votimit në shkollën “Sharr” në…

Lajme

08/06/2026 18:15

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të pandehuri, i cili dyshohet për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur dje, gjatë procesit zgjedhor për Kuvendin e Kosovës, në qendrën e votimit në shkollën “Sharr” në fshatin Jabllanicë të Prizrenit.

I pandehuri A.D., në cilësinë e anëtarit të komisionit zgjedhor, dyshohet se me qëllim të pengimit të procesit zgjedhor ka marrë dhe fshehur gjashtë fletëvotime të paplotësuara, të cilat paraprakisht i kishte shkëputur nga blloku i votimit.

Prokuroria thotë se veprimi i tij dyshohet të ketë cenuar zhvillimin e rregullt të procesit zgjedhor dhe shprehjen e lirë të vullnetit të qytetarëve.

Ndaj tij është kërkuar masa e paraburgimit, ndërsa rasti po trajtohet me prioritet nga organet e drejtësisë.

Prokuroria Themelore në Prizren thekson se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në ndjekjen e të gjitha rasteve që cenojnë demokracinë dhe ligjshmërinë e zgjedhjeve. /Lajmi.net/