Hamza: PDK shkon në zgjedhje të brendshme këtë vit dhe mesazhi i votuesve ishte i qartë, thanë se i kemi lodh

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është deklaruar për media një ditë pas përfundimit të procesit zgjedhor të zhvilluar dje. Hamza deklaroi se ishte një proces demokratik, por se PDK-ja u përball me dikë që përdori gjithçka nga pushteti për vota. “Jemi këtu bashkë për t’iu falënderuar mediave, shoqërinë civile por mbi të gjitha qytetarët, votuesit…

Lajme

08/06/2026 15:16

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është deklaruar për media një ditë pas përfundimit të procesit zgjedhor të zhvilluar dje.

Hamza deklaroi se ishte një proces demokratik, por se PDK-ja u përball me dikë që përdori gjithçka nga pushteti për vota.

“Jemi këtu bashkë për t’iu falënderuar mediave, shoqërinë civile por mbi të gjitha qytetarët, votuesit e të gjitha partive, që dje është përfundu një proces zgjedhor në mënyrë të dinjitetshme, shumë të civilizuar dhe për këtë merita iu takon sidomos votuesve dhe qytetarëve të Kosovës. Rezultatet janë këto, unë i uroj të gjitha partitë që ishin në garë për rezultatin. Ka qenë një proces në vazhdën e disa proceseve zgjedhore. Për PDK-në, rezultati është ky që është. Sigurisht se kemi prit dhe kemi mujt më shumë. Nëse i referohemi vendeve në Kuvend, un pres që nr i deputetëve të jetë pak më i madh se që ka qenë, por ne po presim numërimin e të gjitha votave dhe të shohim ku po dalim si PDK”,deklaroi Hamza.

Ai tha se sipas rezultateve të tanishme PDK momentalisht ka 24 deputetë.

“Aktualisht janë 24 deputetë, por e presim fundin e procesit zgjedhor. Zgjedhjet kanë qenë të lira, mirëpo nuk kanë qenë të drejta, ishin të pabarabarta sepse është përdor paraja publike që ka ndikuar në rezultat. Unë kam thënë se zgjedhjet mund të jenë të lira, por nuk janë të ndershme. Përdorimi i parasë publike e ka bërë efektin e vet, gjithashtu përdorimi i resurseve zgjedhore në proces zgjedhor. Është me rëndësi që të kemi konstituim sa më shpejtë, formim të Qeverisë dhe zgjedhje të Presidentit dhe të mos ketë vakuum institucional për shkak se interesi i vendit është përtej interesit dhe mbi interesin e secilit subjekt politik”,shtoi ai, transmeton lajmi.net.

Hamza tha se “Për PDK-në, është një mesazh i qartë. Abstenimi i votuesve është mesazh për të gjithë ne që duhet ta kuptojmë dhe lexojmë drejtë. Unë e kam kuptu këtë mesazh se njerëzit kanë nevojë për stabilitet ekonomik, stabilitet institucional që Qeveria të merret me problemet e tyre dhe jo vazhdimisht të prodhohen situata, drama, kriza dhe çështje të tjera të ngjashme”,deklaroi Hamza.

Hamza tha se brenda këtij viti parashihet që në PDK të ketë zgjedhje, duke filluar nga nëndegët e deri edhe tek mundësia për kryetar, anipse është me mandat të zgjedhur 4 vjeçar.

”Si PDK neve na presin dy vendime të rëndësishme. Ekziston një vendim i Këshillit Drejtues që PDK shkon në zgjedhje të brendshme këtë vit, dhe ky proces ka fillu dhe do të vazhdoj në mënyrë serioze që të mbyllet ky cikël zgjedhor. Unë si kryetar i PDK-së, jam zgjedh nga Kuvendi dhe jam me mandat të plotë katër vjeçar por megjithatë, në këtë proces zgjedhor, gara do të jetë e hapur në të gjitha nivelet nga nëndegët, degët për Kuvendin, Këshillin Drejtues dhe kryetarin. Edhe posti i kryetarit do të jetë garë e hapur.”.

Hamza tha gjithashtu se votuesit kishin një mesazh në këto zgjedhje.

“Përndryshe, 200 mijë vota më pak na kanë thënë votuesit na keni lodh boll”./Lajmi.net/