Dega e LDK-së Prizren: Efekti i shumëpërfolur i Vjosës dështoi, shtuam veç 1 mijë vota, Abdixhiku nuk arriti ta bashkojë LDK-në
Pas rezultateve të fundit zgjedhore, në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë nisur reagimet dhe thirrjet për përgjegjësi politike brenda partisë. Drejtori i Urbanizmit në Prizren, Florent Ukaj, që është edhe djali i ish deputetit të kësaj partie, Xhavit Ukaj, ka deklaruar se rezultatet nuk përbëjnë sukses dhe se është koha për reflektim të thellë brenda…
Lajme
Pas rezultateve të fundit zgjedhore, në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë nisur reagimet dhe thirrjet për përgjegjësi politike brenda partisë.
Drejtori i Urbanizmit në Prizren, Florent Ukaj, që është edhe djali i ish deputetit të kësaj partie, Xhavit Ukaj, ka deklaruar se rezultatet nuk përbëjnë sukses dhe se është koha për reflektim të thellë brenda subjektit politik.
Ai ka vënë theks të veçantë edhe te ndikimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke thënë se i ashtuquajturi “efekt i Vjosës” nuk është reflektuar në vota.
“Efekti i shumëpërfolur i Vjosës dështoi. Përkundër gjithë propagandës, LDK ka shënuar vetëm rreth 1 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e kaluara,” ka deklaruar Ukaj, duke shtuar se kjo nuk mund të paraqitet si sukses.
Sipas tij, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka arritur ta forcojë dhe bashkojë partinë, përkundrazi, ka thelluar ndarjet brenda strukturave të saj.
Ukaj ka përmendur edhe dobësimin e disa degëve tradicionale të LDK-së, duke e cilësuar Podujevën si një nga shembujt kryesorë të rënies së mbështetjes.
Në fund të deklaratës, ai ka bërë thirrje për nisjen e procedurave statutare brenda partisë dhe kërkimin e përgjegjësisë politike, duke theksuar se “LDK është më e madhe se çdo individ” dhe se është koha për rikthim të unitetit dhe vlerave të saj.