“Mbi 6000 mijë policë në ditën e zgjedhjeve”, Policia njofton se u iniciuan 17 raste penale dhe 5 persona u dërguan në mbajtje
Policia e Kosovës është deklaruar për zhvillimet e sotme në kuadër të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Sipas policisë aktivitetet policore të ndërmarra për garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në kuadër të “Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, përfshirë fazën e votimit të zhvilluar gjatë ditës së sotme, janë realizuar në përputhje të…
Lajme
Policia e Kosovës është deklaruar për zhvillimet e sotme në kuadër të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Sipas policisë aktivitetet policore të ndërmarra për garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në kuadër të “Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, përfshirë fazën e votimit të zhvilluar gjatë ditës së sotme, janë realizuar në përputhje të plotë me planifikimet operative dhe masat e parapara policore.
“Zbatimi i planit operacional, angazhimi profesional i zyrtarëve policorë, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi i ngushtë ndërinstitucional, kanë ndikuar që procesi zgjedhor të zhvillohet në një ambient të qetë, të sigurt dhe pa incidente madhore që do të mund të cenonin apo pengonin rrjedhën e tij. Bazuar në vlerësimet operative dhe të sigurisë, procesi zgjedhor është karakterizuar nga qetësia, rendi dhe stabiliteti i përgjithshëm”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim u tha se një ndër objektivat kryesore të planit operacional policor ka qenë garantimi i një mjedisi të sigurt për ushtrimin e së drejtës së votës, identifikimi, hetimi dhe procedimi i çdo veprimi të kundërligjshëm që mund të cenojë integritetin e procesit zgjedhor, si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj të gjithë personave që bien ndesh me dispozitat ligjore në fuqi.
“Për ti realizuar me sukses këto objektiva, Policia e Kosovës ka angazhuar kapacitetet e saja të burimeve njerëzore dhe atyre logjistike, duke përfshirë 6300 zyrtarë policorë, 720 automjete policore me rreth 320 patrulla reaguese, me zyrtarë të profileve të ndryshme, zyrtarë patrullues, hetues, zyrtarë të inteligjencës, zyrtarë kufitar, zyrtarë të trafikut dhe zyrtar të njësive speciale të cilët kanë qenë në gatishmëri vepruese.Në bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit, Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme, ka iniciuar 17 raste penale që ndërlidhen me procesin zgjedhor, për veprat penale: ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’, ‘Asgjësimi i dokumenteve të votimit’, ‘Keqpërdorim i të drejtës së votimit’ dhe ‘Dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimin’. Lidhur me këto raste, 5 persona të dyshuar janë dërguar në mbajtje”.
Gjatë realizimit të detyrave policore janë pranuar dhe trajtuar gjithsej 53 informata të natyrave të ndryshme, ku pas vlerësimit të rrethanave dhe mungesës së elementeve të rastit, nuk janë iniciuar procedura të mëtejme ligjore.
Po ashtu, në bashkëpunim me organet kompetente të drejtësisë, janë trajtuar dhe proceduar edhe raste të tjera të natyrave të ndryshme, të cilat nuk kanë qenë të ndërlidhura me procesin zgjedhor./Lajmi.net/