Kosova mbajti vetëm një palë zgjedhje “normale” parlamentare pas luftës, 7 tjera ishin të parakohshme

Zgjedhjet e sotme nuk qenë të zakonshme. Ato ishin të parakohshme dhe u shpallën pasi Kosova dështoi të zgjedhë presidentin e ri në prill. Në rrethana normale, ky proces zgjedhor do të duhej të mbahej në fund të vitit 2029, katër vjet pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Në fakt, të parakohshme ishin edhe…

Lajme

07/06/2026 18:23

Zgjedhjet e sotme nuk qenë të zakonshme. Ato ishin të parakohshme dhe u shpallën pasi Kosova dështoi të zgjedhë presidentin e ri në prill.

Në rrethana normale, ky proces zgjedhor do të duhej të mbahej në fund të vitit 2029, katër vjet pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

Në fakt, të parakohshme ishin edhe zgjedhjet e dhjetorit. Ato u bënë të paevitueshme pasi votimet e 9 shkurtit 2025 prodhuan një rezultat që ia pamundësoi Vetëvendosjes, si parti fituese, krijimin e qeverisë.

Megjithatë, zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të mbahen mend si ndër të rrallat në historinë elektorale të Kosovës së pavarur që u mbajtën në afat të rregullt.

Para tyre, pothuajse çdo cikël tjetër parlamentar pas pavarësisë ishte i parakohshëm. Kështu ndodhi edhe me zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, të cilat u thirrën pas rrëzimit të Qeverisë së Avdullah Hotit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Njëjtë ishte edhe me zgjedhjet e 6 tetorit 2019, në të cilat Vetëvendosje fitoi për herë të parë. Ato u mbajtën me rastin e dorëheqjes së kryeministrit të atëhershëm, Ramush Haradinaj, pas ftesës që mori nga Gjykata Speciale për intervistim në Hagë.

Shefi i AAK-së kishte ardhur në krye të qeverisë së koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma) në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, të cilat po ashtu nuk ishin të rregullta. Ato u bënë të parakohshme pas prishjes së koalicionit qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, me kryeministër Isa Mustafën.

Mustafa e kishte marrë drejtimin e ekzekutivit në fund të vitit 2014, pas marrëveshjes me PDK-në e Hashim Thaçit që e bënte këtë të fundit president. Kjo erdhi pasi Partai Demokratike, ndonëse kishte fituar zgjedhjet e 8 qershorit 2014, nuk kishte arritur ta formonte e vetme ekzekutivin. Edhe ato zgjedhje ishin të parakohshme, pasi qeveria e tij me AKR-në e Behgjet Pacollit kishte humbur shumicën në Kuvend.

Edhe qeveria paraprake, e dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010, ishte produkt i një procesi të parakohshëm. Ato zgjedhje u mbajtën pasi PDK-ja dhe LDK-ja prishën “koalicionin e madh të pavarësisë”, të krijuar pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, vetëm pak muaj para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Lexo po ashtu“Praktika të suksesshme”, nisma që po transformon mësimdhënien në KosovëNdryshe nga shumica e proceseve pas pavarësisë, zgjedhjet e vitit 2007 ishin të rregullta. Të tilla ishin edhe ato të vitit 2004 dhe zgjedhjet e 17 nëntorit 2001, të parat parlamentare në Kosovë pas luftës.

Pra, tri palë zgjedhjet parlamentare të mbajtura pas luftës, por para pavarësisë, ishin të rregullta. Në Kosovën e pavarur, të tilla mbeten vetëm zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Të gjitha 7 ciklet tjera, përfshirë edhe këto të 7 qershorit, hyjnë në kategorinë e zgjedhjeve të parakohshme.